ASNN – Japonezët janë të veçantë dhe, mbase, prandaj quhen “japonezë”. Organizatorët e Olimpiadës “Tokio 2020” kanë menduar të bëjnë diçka të veçantë. Ata duan të bëjnë medaljet e fituesve, të arta, të argjendta dhe të bronzta me material të riciklueshëm. Për këtë kanë vendosur të përdorin material të riciklueshëm, të cilin do ta marrin nga celularë dhe pajisje të tjera të vogla elektronike.
Tokio po mendon të realizojë një projekt të rëndësishëm përsa u përket medaljeve të Olimpiadës dhe Paralimpiadës 2020. Për të krijuar medaljet e fituesve, të arta, të argjendta dhe të bronzta, do të përdoren pjesë nga “smartphone”, fotokamera dhe pajisje të tjera elektronike. Komiteti organizator i këtyre Lojërave, ka bërë të ditur se do t’i grumbullojë të gjitha këto materiale të nevojshme deri në 31 mars të këtij viti.
“Tokyo 2020 Medal Project”, i shpallur nga Japonia në 2017-ën, synon të realizojë 5.000 medalje ari, argjendi dhe bronzi me materiale të ricikluara. Për këtë, qytetarët dhe shoqëritë e ndryshme janë ftuar të marrin pjesë në mbledhjen e mbetjeve elektronike. Deri në tetori 2018, ishin grumbulluar, 47.500 ton mbetje elektronike, midis të cilave, 5 milion celularë.
Bronzi i duhur, që mendohet deri në 2,700 kg, është parashikuar të grumbullohet deri në qershor. Deri tani është mbledhur 93.7% e sasisë së duhur, ndërsa për argjendin është mbledhur 85.4%, e sasisë.