AlbanianSport.com 01/10/2018 17:30
ASNN – Organizimi i Lojërave Olimpike “Tokio 2020” ka bërë që në Japoni të vihen në lëvizje mjaft grupe pune, të ngritura për këtë veprimtari të madhe sportive. Një nga hallkat kryesore të mirëorganizimit të Olimpiadës, është edhe siguria. Ndaj strukturat e caktuara kanë bërë disa ushtrime duke nisur nga njohja e fytyrave të personave të cilësuar me precedentë, gjatë kontrollit në hyrje të impianteve sportive ku do të zhvillohen garat.
Për të bërë sa më të qarta ngjarje të mundshme, janë marrë disa aktorë. Kështu njëri prej tyre kërcënon me thikë dhe më pas shikohet se si bëhet ndërhyrja për ta neutralizuar. Pastaj bëhet prangosja e tij dhe shoqërimi deri në automjetet e policisë. Kontrollet nëpër makina si dhe asgjësimi i çantave të dyshuara të lëna pranë mjediseve sportive. Si mund të asgjësohen këto çanta pa shkaktuar alarm dhe mundësia për të çmontuar bombat nëse do të ketë të tilla.
Të gjitha këto janë praktikuar nga forcat e sigurisë me ndihmën e aktorëve. “Aktorët vullnetarë janë trajnuar mirë, ashtu edhe oficerët e sigurisë kanë bërë një punë të mirë dhe gjithçka shkoi pa probleme, – tha Tushoi Ivashita, Drejtori Ekzekutiv i Sigurisë për “Tokio 2020”. – Objektivi ynë është të bëjmë të mundur që publiku të kalojë nëpër shqyrtimin e sigurisë dhe t’i shijojë lojërat më pas në mënyrën më të mirë.” Testet janë kryer nga Komiteti Organizativ i “Tokio 2020” dhe Policia Metropolitane e kryeqytetit të Japonisë.