AlbanianSport.com 22/02/2020 18:40
ASNN – Guvernatorja e Tokios, Juriko Koike, e ka kritikuar kandidatin për kryetar bashkie në Londër, Shon Bejli për ofertën e tij për të pritur Olimpiadën e këtij viti për shkak se koronavirusi ka prekur Japoninë. Bejli kishte postuar në profilin e tij në rrjetin social “Twitter” një postim që shkaktoi jo pak zhurmë. “Londra mund të organizojë Lojërat Olimpike në vitin 2020, – shkruante ai. – Ne kemi infrastrukturën dhe përvojën.”
“Dhe për shkak të shpërthimit të koronavirusit, bota mund të ketë nevojë për ne për të pritur këtë veprimtarie të rëndësishme sportive”, – përfundonte kandidati për kryetar bashkie në Londër, Shon Bejli. Londra ka pritur 3 olimpiada, në vitin 2012, 1948 dhe 1908. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i guvernatores së Tokios. “Nuk është e përshtatshme të përpiqesh ta bësh çështje një problem që po mundohemi ta administrojmë”, – tha ajo.
“Vëmendjen e ka tërhequr vetëm anija “Diamond Princess”, që ka më shumë se 600 raste të koronavirusit, por kombësia e anijes së lundrimit i përket Britanisë”, – vijoi Koike. duke iu referuar regjistrimit të anijes. “Uroj që aspekte si këto të kuptohen mirë”, – ka përfunduar guvernatorja e Tokios. Organizatorët kanë theksuar se është shumë herët të merren parasysh ndryshimet në Lojërat Olimpike të Tokios, të cilat fillojnë në 24 korrik, për shkak të koronavirusit.
“Unë mendoj se ne nuk kemi arritur ende atë pikë”, – tha Koike kur u pyet nëse do të kishte ndonjë ndryshim në datën apo vendin e organizimit të Olimpiadës “Tokio 2020”.