AlbanianSport.com 22/02/2024 15:50
ASNN – Erkand Qerimaj akuza ndaj presidentit Elez Gjoza: “Ka fshehur raste me doping dhe shpërdoron paratë tona”. Peshëngritësi shkodran Erkand Qerimaj, që vetëm pak ditë më parë shpallej nënkampion i Evropës në peshën 81kg, në stilin e shkëputjes, ka ngitur të enjten akuza të rënda ndaj presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza. Ai vënë gishtin një një plagë të vjetër në këtë sport, si dopingu.
“Skandali i fundit në Federatën e Peshëngritjes, rasti i fundit i një rasti sportisti që është kapur me doping, por është mbajtur i fshehur nga Federata dhe institucionet, për të mbrojtur Federatën dhe Elezin. Mendimi im është që urgjentisht Elez Gjoza të japë dorëheqjen dhe të bëhen zgjedhje të reja”, shkruan Qerimaj në faqen e tij në Facebook, pa bërë me dije se për cilin sportist të kapur me doping bëhet fjalë.
Kujtojmë se në 6 vjet të drejtimit më herët të Federatës nga Elez Gjoza, janë zbuluar 12 raste të bujshme të dopingut, ndërsa edhe në këto pak vite të rikthimit nuk kanë munguar sërish rastet me doping, që janë shndërruar kështu në fenomen të qenies së tij në krye të organizmit që qeveris shtangën shqiptare. Ndërka, më tej, shkodrani Qerimaj akuzon Gjozën për skandalet e shumta që ka pasur ndër vite.
“Drejton Federatën që në vitin 2013 dhe ka bërë 3 mandate me shumë skandale, – ka vijuar ai. – Fondi dhe Federata është për sportistët e trajnerët, jo për të shkuar në xhepat e mëdhenj të presidentit. Ai realizon turizëm me njerëzit e familjes me lekët e taksapaguesve!!! Shporru nga Federata, Hajdut… Mashtrues. Ky është mendimi im. Jam Erkand Qerimaj, kampion Europe e bote që nga vitit 2002”.
Ndërkohë, sipas asaj që ka mësuar RTSH Sport, sportisti në fjalë, edhe pse nuk është përmendur me emër, është peshëngritësi i Teutës, Rilind Hysa, i cili ka qenë një nga 6 të thirrurit nga OKAD (Organizata Kombëtare Antidoping), për testimet e zhvilluara më 13 janar 2024, në Kampionatin Kombëtar të Peshëngritjes për Të Rritur, të mbajtur në kryeqytet.