AlbanianSport.com 12/11/2018 21:25
ASNN – Një takim ka ndodhur sot midis presidentit të Tiranës Refik Halili dhe trajnerit Ardian Mema, në lidhje me ecurinë e dobët të skuadrës bardheblu në Kategorinë Superiore. Dhe sipas informacioneve që përcjellin mediat sportive të ditës, Halili e ka votëbesuar Memën dhe i ka dhënë miratimin e tij për të vazhduar në krye të skuadrës, me motivimin se është personi i duhur për ta nxjerrë ekipin nga kriza.
Në fakt, Tirana është realisht në kushte emergjence dhe ka nevojë të menjëhershme për pikë dhe pavarësisht se gara është ende e gjatë dhe ka kohë për të rikuperuar, objektivat e saj për trofe mund të quhen që tani të “vdekur”, prandaj asaj i del për detyrë të fitojë sa më shumë që të mos rrezikojë rënien. Mësohet se, në takimin midis presidentit Halili dhe trajnerit Mema pati mirëkuptim.
Dhe trajneri, i cili pas humbjes në Gjirokastër përballë Luftëtarit kishte deklaruar se mund të mos jetë më trajner i një Tirane që lufton për mbijetesë, pranoi të vazhdojë punën e tij dhe në këtë periudhë i ka ardhur në ndihmë Kombëtarja, pasi pushimi i kampionatit i jep kohën e nevojshme për ta përgatitur si duhet ekipin për sfidat e ardhshme në kampionat.
Nën drejtimin e 46-vjeçarit kryeqytetas, Tirana ka marrë dy barazime e tri humbje dhe pinjolli i dinastisë “Mema” në futbollin tiranas ende nuk e ka shijuar fitoren e parë si trajner në krye të bardhebluve. Të drejtosh këtë skuadër, me historinë që ajo mbart dhe lavdinë që ka krijuar, nuk është asnjëherë e lehtë dhe Mema po mban mbi shpatulla një peshë të madhe përgjegjësie.