AlbanianSport.com 09.08.2015 07:55
ASNN – Vazhdojmë largimet tek Tirana. Pas përjashtimit të Dushkut dhe “divorcit” me Kërçikun e Morinën, i radhës që i shtohet listës është Edvan Bakaj. Në ditët e fundit, lojtarit i është bërë me dije se nuk është në planet e stafit teknik, as si portier i parë dhe as si i dytë, por i është thënë se do të jetë i tretë. Vendim ky që nuk është pritur mirë nga futbollisti dhe për rrjedhojë, ai ka preferuar që të mendojë diçka tjetër për të ardhmen.
Kështu, Bakaj, i cili edhe pse ka një kontratë me klubin për dy vitet e ardhshme, është larguar radhët e bardhebluve. Stafi teknik planifikon Stivi Frashërin si titullar, ndërsa alternativë e dytë do të jetë Marsel Çaka, ky i fundit produkt i shkollës bardheblu. Kujtojmë se deri tani kanë ikur në këto merkato verore nga kryeqytetasit më shumë se 13 futbollistë. Bëhet fjalë për Elis Bakajn, Currin, Ristevskin, Takun, Kërçikun, Morinën, Ndikumanën, Bushiçin, Hyshmerin dhe Kalarin.
Të gjithë këta, për arsye të ndryshme kanë vendosur të largohen nga ekipi. Skadimi i kontratave, problemeve me likuiditetin financiar, por edhe për shkak të hapësirave të pakta, kanë qenë shkaqet që kanë bërë Tiranën të mendojë tashmë për zëvendësuesit e “ish”-ëve për sezonin tjetër. Pothuajse një skuadër e tërë. E paqartë mbetet situata edhe me dy futbollistë të tjerë, Gentian Muçën dhe Frensis Kahatën. Nga ana tjetër, Francis Kahata duket se nuk e ka me shumë dëshirë rikthimin te Tirana.
Një gjë të tillë, mesfushori kenian e pranoi disa javë më parë, në një prononcim për mediat sportive shqiptare. Për çështjen “Kahata”, klubi bardheblu ka pohuar se janë arsye burokratike dhe se kthimi i tij në Shqipëri po vonohet për shkak të mungesës së vizës. Nëse Muça dhe Kahata do të bënin zgjedhjet e tyre, duke mos pranuar të luanin për Tiranën, numri i bardhebluve të larguar nga skuadra do të shkonte në 13 të tillë, ndërsa edhe stolit kryeqytetas ka tani tjetër “timonier”, Shkëlqim Muçën.