AlbanianSport.com 09.08.2015 14:40
ASNN – U vonua pak, por Zhilberto Fortunat është rikthyer në Tiranë. Paraditen e së shtunës ai është parë në Vilën “Goldi”, ku braziliani është takuar “kokë më kokë” me drejtorin teknik Devi Muka dhe presidentin e bardhebluve, Refik Halili, ku është biseduar për konkretizimin e marrëveshjes. Tashmë “çështja” e sulmuesit për Tiranën, duhet konsideruar e mbyllur.
Ai do të jetë 28-vjeçari Zhilberto Fortunat. Braziliani është i njohur për bardheblutë, me të cilët në gjysmën e dytë të sezonit 2013-2014 u aktivizua në 12 ndeshje “mbijetese”, duke shënuar edhe 5 gola tepër të rëndësishëm. Kontrata midis sulmuesit Zhilberto dhe drejtuesve të klubit bardheblu, për ta zyrtarizuar brazilianin si pjesë e Tiranës për sezonin e ardhshëm, pritet të firmoset të hënën.
Kjo për shkak të ditëve të pushimit ndërmjet, pasi bankat janë të mbyllura, për t’i plotësuar sulmuesit edhe një kusht të tij, për të marrë një shumë financiare paraprakisht. Pas largimeve më të fundit, të Morinës, por edhe të serbit Djilas që nuk bindi, sipas drejtuesve të klubit bardheblu, afrimi i brazilianit Zhilberto jo vetëm që mbyll një “gropë” për trajnerin Muça, por edhe e fuqizon së tepër sulmin e bardhebluve për sezonin e ri, ku ambiciet e kryeqytetasve janë si përherë, synimi i trofeve.