AlbanianSport.com 08.11.2014 10:25
ASNN – Ajo që ndodhi në ndeshjen e fazës së parë i përket së shkuarës. Po ashtu, Tirana dhe Vllaznia vijnë në përballjen e dytë sezonale në një situatë ndryshe sa i përket lojës dhe pikëve në tabelën e renditjes. Gjithsesi, ky fakt nuk e zbeh aspak sfidën që cilësohet si “derbi i Shqipërisë” dhe me këtë ndjesi Vllaznia është nisur drejt kryeqytetit.
“Është një ndeshje shumë kryesore për ne, – ka deklaruar trajneri Baldo Raineri. – Një ndeshje tradicionale që ka shumë interes edhe nga ana e klubit tonë. Shpresojmë se do të shkojë mirë. Normalisht që duke e parë edhe ekipin kundërshtar që është një ekip shumë i mirë, por në do të vazhdojmë të luftojnë në këtë përballje duke synuar të marrim një fitore.”
“Ndeshjen e kaluar me ekipin e Tiranës luajtur në Shkodër ne e kujtojmë ndoshta edhe për anën e mirë dhe anën e keqe, – ka vijuar ai. – Kanë kaluar disa muaj, të shohim se si do të shkojnë punët, ne kemi nevojë për një rezultat pozitiv dhe shpresojmë që të bëjmë atë lojë që kemi bërë në Shkodër me ekipin e Tiranës.” Fitorja në Kupë në mesjavë nuk e ka qetësuar pankinën e Rainerit.
Trajneri zvicerian shprehet i qetë për të ardhmen, por nuk harron të sulmojë dhe ata që sipas tij presin të largohet. “Unë jam i qetë në punën që bëj, ndryshe nga disa njerëz që nuk duan të mirën time, – ka theksuar kreu i pankinës shkodrane. – Por për fatin e mirë kam drejtues që besojnë tek unë. Por edhe futbolli është i tillë. Ne kemi disa ndeshje që vendosin.”
Vllaznia zbret në ndeshjen në fushë të huaj kundër Tiranës pas pesë humbjeve radhazi dhe me vetëm 8 pikë në vendin e tetë të renditjes. E ndryshme është situata e bardhebluve që renditen në vendin e dytë me 22 pikë.