AlbanianSport.com 13.04.2015 10:20
ASNN – Gentian Muça ka shpëtuar nderin e Tiranës, e cila ka fituar mbrëmë me vështirësi ndaj Vllaznisë. Kjo e fundit ka arritur të kalojë në epërsim me anë të Çinarit, që realizon në minutën e 34-t. Në pjesën e dytë dygolëshi i Gentian Muçës, në të 62-tën dhe në të 76-tën minutë, i ka dhënë një tripikësh me vlerë bardhebluve, të cilët janë ngjitur në kuotën 60 pikëve dhe ndodhen në vendin e tretë. Duhet theksuar se Vllaznia e ka mbyllur ndeshjen me 10 futbollistë, teksa në të minutën e 59-të ka dalë me karton të kuq Beqiri.
Dhe sipas trajneri të shkodranëve, Luan Zmijani, ky episod vendosi fatin e ndeshjes. “E kam thënë dhe vazhdoj ta përsëris ne do të respektojmë të gjithë kundërshtarët kushdo qofshin ata, ne pavarësisht se kemi dalë nga objektivat do të japim maksimumin dhe do ta vlerësojmë maksimalisht kampionatin deri në fund, – ka deklaruar ai. – Dalja me karton të kuq e Beqirit, na i vështirësoi shumë punët, pas atij momenti na u desh të bënim zëvendësime dhe kjo gjë nuk ishte aspak e thjeshtë.”
“Kartoni i kuq ndikoi shumë në humbjen që pësuam ndaj Tiranës”, – përfundoi trajneri i Vllaznisë, Luan Zmijani. Ndërsa homologu i tij, trajneri i Tiranës, Gugash Magani, deklaroi: “Dy ishin faktorët që ne nuk shfaqëm formën tonë më të mirë. I pari ka të bëjë me ndeshjen e mesjavës ndaj Laçit, ku ne shpenzuam shumë energji dhe kishim vetëm 3 ditë kohë për ta përgatitur këtë sfidë dhe e dyta ka të bëjë me faktin se nga tani e deri në fund të sezonit kemi presionin për të mos gabuar në asnjë ndeshje.”
“Ndaj Vllaznisë zhvilluam një pjesë të parë për t’u harruar, ndërsa në pjesën e dytë e rritëm shumë nivelin e lojës tonë, këtu ndikuan edhe zëvendësimet që bëmë, – ka vijuar peqinasi i stolit të bardhebluve kryeqytetas. – Unë nuk mund të flas për kundërshtarët pasi mendoj vetëm për skuadrën time. Ne synojmë t’i fitojmë të dy trofetë dhe do të japim maksimumin si në kampionat ashtu edhe në Kupë. Në kampionat janë në lojë edhe 18 pikë dhe kemi shanse për të mbërritur te titulli.”