AlbanianSport.com 14.01.2016 10:05
ASNN – Tirana vazhdon përgatitjet, ndërsa brazilianët Hugo Almeida dhe Aleks Uillian bashkohen me skuadrën bardheblu. Kështu, pas zyrtarizimit menjëherë në fushën e stërvitjes. Dy futbollistët brazilianë, Hugo Almeida dhe Aleks Uillian, kanë nisur përgatitjet me Tiranën. Ata zhvilluan senacën e parë stërvitore nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja, ndërsa duhet të bindin atë nëse janë gati për të debutuar në futbollin shqiptar që në ndeshjen e parë të vitit 2016.
Hugo Almeida është një qendërsulmues, ndërsa Aleks Uillian një mesfushor fantasist, dy role këto që trajneri bardheblu kërkoi me ngulm të plotësoheshin gjatë merkatos së janarit. Sidoqoftë, për të zbritur në fushë pas pushimeve dimërore të futbollit shqiptar, lojtarët brazilianë duhet të tregojnë se janë në formë. Por, në pritje të debutimit të blerjeve të fundit, Tirana merr një lajm të keq nga Masato Fukui. Sulmuesi japonez pësoi një dëmtim në seancën e fundit stërvitore, që do ta mbajë jashtë fushe për 3 javë.
Kjo do të thotë se ai nuk do të mund të luajë në dy ndeshjet e para të vitit, më 23 janar kundër Flamurtarit në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë dhe më 30 janar kundër Tërbunit në Kategorinë Superiore. Në senacën e fundit stërvitore, mungesa të tjera të Tiranës ishin ato të Dejan Karan, Ervin Bulkut dhe Gjergji Muzaka. Mbrojtësi serb ka një problem muskulor, por do të kthehet shpejt në stërvitje, ndërsa dy futbollistët e tjerë u lanë pushim nga trajneri Daja pasi po kalojnë virozat e stinës.