AlbanianSport.com 17/02/2019 19:35
ASNN – Tirana kryen “vetëvrasje” ndaj Luftëtarit, një pikë nga dueli direkt i zonës së “ftohtë”. Luftëtari ka rimarrë veten me Julian Ahmatajn dhe po ua sjell “majë hundës” ekipeve rivale në Superiore, pasi në 3 ndeshjet e fundit ka marrë 5 pikë, një fitore e dy barazime. Gjirokastritët ishin sonte përballë Tiranës në stadiumin “Selman Stërmasi”, një ndeshje që prodhoi emocione dhe ankth tek të pranishmit.
Kjo pasi Luftëtari shënoi i pari me anë të Albano Aleksit në minutën e 21-të, i cili shfrytëzoi mjaft mirë korridorin në mbrojtje dhe për të mposhtur më pas portierin Abibi. Ishte një zhgënjim total për Tiranën ky takim, ndoshta nga euforia e javëve të fundit, ku bardheblutë kishin marrë zemër dhe dukeshin të pamposhtur nën efektin e trajnerit Ardian Mema.
Pjesa e parë u mbyll 1-0 për Luftëtarin, një fraksion loje që nxori në pah dobësinë e Tiranës për të shënuar, krejt ndryshe nga duelet e fundit kur sulmi kishte qenë në lartësinë e kërkuar. Nga ana tjetër, u kthye dhe një herë në “skenë” problemi i mbrojtjes që lë hapësira. Sidoqoftë, në pjesën e dytë do të vinte një barazim që lehtësoi frymëmarrjen e Tiranës në renditje.
Për të ardhur tek ai barazim Tirana vuajti shumë dhe ankthi ishte shumë i madh. Luftëtari po fitonte ndeshjen deri në minutën e dytë shtesë, atëherë kur në aksionin e fundit, Meveje gjen nga “hiçi” një gol me peshë për renditjen, pasi jo vetëm çliroi ankthin e mbështjellë për 70 minuta në fushë, por i jep Tiranës një pikë kur dukej se nuk po fitonte asgjë.
Jo vetëm kaq, por duke ndalur në barazim 1-1 Luftëtarin, Tirana e ruan vendin e 7-të në renditje, tashmë me 25 pikë, duke lënë pas vetes Luftëtarin me 22 pikë, por duke mos e shfrytëzuar rastin t’i afrohet ekipeve të mestabelës e t’i largohej përfundimisht zonës së ftohtë të renditjes. Afrimi i Kastriotit në kuotën e 19 pikëve e vë Tiranën dhe Luftëtarin nën presion, kështu që gara e fundtabelës do të vijojë të jetë e fortë deri në fund dhe me shumë pikëpyetje.
Kategoria Superiore
Java e 22-të
Të premten, 15 shkurt 2019:
Teuta – Kukësi 2-1
Të dielën, 17 shkurt 2019:
Kamza – Kastrioti 0-1
Flamurtari – Skënderbeu 2-0
Tirana – Luftëtari 1-1
Laçi – Partizani 1-0
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Partizani 22 14 4 4 23-10 46
- Teuta 22 10 9 3 28-16 39
- Kukësi 22 11 5 6 21-13 38
- Laçi 22 9 7 6 18-17 34
- Skënderbeu 22 10 3 9 23-19 33
- Flamurtari 22 9 6 7 19-15 33
- Tirana 22 6 7 9 26-24 25
- Luftëtari 22 6 4 12 19-27 22
- Kastrioti 22 6 1 15 19-39 19
- Kamza 22 4 4 14 10-26 16