AlbanianSport.com 19/04/2018 20:55
ASNN – Kampionati Kombëtar i Basketbollit për meshkuj ka përcaktuar të enjten edhe dy skuadrat që do të luftojnë për kurorën e titullit “kampion” dhe ato janë pikërisht dy skuadrat që i kanë dhënë tonin këtij sezoni. Ndërkohë që Tirana ka fituar Kupën e Shqipërisë, duke mposhtur në finale pikërisht Teutën, kjo e fundit është hakmarrë, duke bërë të vetën Superkupën dhe tanimë dy skuadrat do të kenë mundësi të përballen në dulet e finales për trofeun e madh të kampiones.
Pasi kishte triumfuar me shifrat 77-69 të dielën në duelin e parë gjysmëfinal, të zhvilluar në Durrës, Teuta ka vijuar të triumfojë në një betejë nervash edhe në kryeqytet të enjten, duke mundur 75-74 Partizanin dhe duke siguruar vendin në finale. Në fakt, dueli i zhvilluar në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, nën komentin e Henri Mojës, ka folur më tepër për durrsakët.
Ata kanë dominuar në shumicën e kohës, por kanë rrezikuar të komprometojnë gjithçka në fund, kur, me pak më tepër kujdes dhe përqendrimin, Partizani mund të kishte përmbysur dhe fituar. Dy pjesët e para të lojës kanë qenë të baraspeshuara, me skuadrat që luftojnë pikë për pikë dhe miqtë që kryesojnë, por me vendasit që nuk e lejojnë këtë kryesim të thellohet. Ndërkohë që Partizani fiton pjesën e parë 19-17, miqtë fitojnë të dytën 19-14.
Dhe, për rrjedhojë, 20 minutat e para do të mbyllen 36-33 në favor të Teutës, e cila në 20 minutat e dyta dhe të fundit do ta thellojë edhe më tepër këtë epërsi. 64-50 do të mbyllet pjesa e tretë, por Partizani do ta fitojë të 4-tën 24-11 dhe vetëm një aksion i dështuar i të kuqve në sekondat e fundit i jep Teutës fitoren e ngushtë 75-74, që mjafton ta çojë atë në finale ku do të ndeshet me Tiranën, që nuk ka gabuar dhe ka fituar edhe takimin e dytë në Bathore ndaj Kamza Basket, 89-86.