AlbanianSport.com 21.12.2016 16:10
ASNN – Olsi Teqja, mbrojtësi i Tiranës, shprehet se për skuadrën e tij tri pikët ndaj Vllaznisë janë detyrim në mënyrë që të realizojnë objektivat. Kategoria Superiore luan të enjten ndeshjet e javës së 18-të dhe një takim i rëndësishëm është edhe ai që luhet edhe në Shkodër.
Tirana përballet me Vllazninë në një sfidë të vështirë, pasi të dyja skuadrat kërkojnë fitoren për të realizuar objektivat e veta, në këtë mbyllje të fazës së dytë të kampionatit. Mbrojtësi i bardhebluve, Olsi Teqja shprehet se ndaj skuadrës shkodrane kërkojnë vetëm fitoren.
“Luajmë ndeshjen e fundit për vitin 2016, një takim shumë i rëndësishëm për ne, – ka thënë ai gjatë konferencës për shtyp. – Na duhet të fitojmë dhe marrim 3 pikët që na vlejnë për objektivin. Vijmë pas një fitore ndaj Luftëtarit, që na ka rikthyer qetësinë dhe optimizmin, pasi mundëm një kundërshtar serioz qe u ka hapur probleme të gjitha skuadrave.”
“Ne kemi lënë disa pikë rrugës, për shkak edhe të disa problemeve me dëmtimet e lojtarëve kryesorë, – ka futbollisti i bardhebluve kryeqytetas. – Na duhet të fitojmë për të rifituar kuota në tabelën e renditjes. Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen e fundit edhe pse sërish kemi disa mungesa.”
“Ne Shkodër unë di që Tirana ka marrë gjithmonë rezultate pozitive, megjithatë nuk duhet të diskutojmë të kaluarën por të shohim përpara, – ka kujtuar Teqja. – Kam besim se do ja dalim. Përsa u përket kundërshtarëve, nuk merremi me ecurinë e tyre. Shohim vetëm ndeshjet tona dhe mendojmë për ta mbyllur siç duhet këtë vit.”