Adriatik Balla 10.05.2015 10:00
Ndeshja e djeshme midis Tiranës dhe Skënderbeut pritej të ishte një nga duelet më të forta të Kategorisë Superiore dhe natyrisht ishte e tillë, por nga kjo përballje nuk pati asnjë të fituar. Superndeshja e javës së 34-t u mbyll në barazim 0-0, duke i dhënë më shumë epërsi ekipit korçar të gjejë suksesin e dëshiruar, por jo të sigurojë matematikisht titullin.
Të dyja tifozeritë kishin mbushur shkallët e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafës” për ndeshjen ndoshta më të rëndësishme të këtij sezoni duke ju përgjigjur thirrjes së dy klubeve, ndërkohë që përpara fishkëllimës së parë nuk munguan dhe mesazhet në mbështetje të shqiptarëve të Kumanovës, që po kalojnë një situatë të vështirë këto ditët e fundit.
Në fushë ndërkohë Tirana e nisi menjëherë fortë me Karabecin që kërkoi golin që në sekondat e para. Ndeshja ishte me ritëm, por jo me raste të pastra me bardheblutë që vazhdimisht afroheshin rrezikshëm përpara zonës së Shehit. Kur mbeten dhe dy javë deri në përfundim, Skënderbeu gjendet 5 pikë i shkëputur në renditje dhe i mjafton në ndeshjen e ardhshme vetëm një barazim që të sigurojë matematikisht titullin “kampion”.
Ndeshja e mbrëmshme e luajtur në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet nuk dhuroi surpriza dhe surprizë do të ishte çdo fitore, qoftë në krahun e Tiranës, ashtu he të Skënderbeut. Tirana humbet edhe vendin e dytë me këtë barazim, pasi përfitoi Kukësi, kurse Skënderbeu mbetet në kuotën e 73 pikëve, duke mos u shqetësuar për titullin nga ndjekësit e tij.