AlbanianSport.com 13/03/2024 21:10
ASNN – Tirana, “kampione” e futbollit të sallës. Kurorëzohet për herë 12-të, e mbyll çështjen e titullit 3 javë para fundit të sezonit. Tirana është shpallur matematikisht kampione e Shqipërisë, 3 javë përpara përfundimit të sezonit të futbollit të sallës. Ky është sezoni i 19-të i rregullt i Kampionatit Kombëtar të Futbollit të Sallës, ndërsa Tirana sapo ka siguruar titullin e 12-të.
Pas Kupës së Shqipërisë, pak javë më parë, edhe Kampionati Kombëtar i Futbollit të Sallës ka kurorëzuar fituesen e saj, paso Tirana është shpallur matematikisht kampione e Shqipërisë. Bardheblutë shpallen kështu fitues të futbollit të vogël 3 javë përpara përfundimit të Kampionatit Kombëtar. Në javën e 9-të, bardheblutë barazuan në derbi ndaj Partizanit me rezultatin 4-4.
Dhe kaq mjaftoi për të siguruar matematikisht titullin “kampion”. Tirana renditet në vendin e parë, në kuotën e 22 pikëve, 11 më shumë se Partizani dhe Vllaznia që ndodhen në kuotë të barabartë pikësh, ndërsa kanë mbetur edhe 9 pikë në lojë dhe bardheblutë janë kësisoj të paarritshëm. Në sfidën tjetër të javës të zhvilluar në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër, Vllaznia mposhti Flamurtarin me rezultatin 5-3.
Ndërkaq, në javën e 10-të të Kampionatit Kombëtar të Futbollit të Sallës, Tirana do të përballet me Flamurtarin, ndërsa Vllaznia me Partizani. Kampionati Kombëtar i Futbollit të Sallës ka nisur në Shqipëri në vitin 2003, por ka patur ndërprerje, duke ndryshuar edhe format. Ky është sezoni i 19-të i rregullt, ndërsa Tirana sapo ka siguruar titullin e 12-të.