AlbanianSport.com 22/12/2017 16:05
ASNN – Kategoria e Parë ka luajtur sot ndeshjen e parë të javës së saj të 12-të dhe Tirana ka fituar me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Naftëtarit në Kuçovë. Ndërkaq, të shtunën, duke nisur nga ora 13:00, luhen edhe të gjitha takimet e grupit A, apo grupit të Veriut, por edhe 4 takimet e tjera të grupit B, apo grupit të Jugut. Edhe niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, po i luan në fundjavë ndeshjet e javës së 12-të.
Të premten pasdreke është luajtur takimi i parë, ai midis Naftëtarit dhe Tiranës, që u zhvillua në Stadiumin “Bashkim Sulejmani” të Kuçovës dhe ishte i vlefshëm për grupin B, apo grupin e Jugut. Kjo sfidë skajesh, teksa bardheblutë kryeqytetas vinin si kryesues të shkëputur të grupit B, ndërsa vendasit vinin si vendi i fundit i renditjes, është fituar nga Tirana me rezultatin e thellë 4-0, me golat e Karabecit, Ngo’së, Sentamusë dhe Bardhit.
Në takimet e tjera të grupit B, që luhen të shtunën duke nisur të gjitha nga ora 13:00, Bylisi pret në Ballsh Turbinën, Shënkolli është mysafir në Fushë-Krujë, për t’u ndeshur me Ilirinë, ndërsa Tomori përballet me Shkumbinin në Peqin. Takimi më i spikatur i kësaj jave të grupit B është ai midis Pogradecit dhe Apolonisë. Ndërkaq, të shtunën, duke nisur nga ora 13:00, luhen edhe të gjitha takimet e vlefshme për grupin A, apo grupit të Veriut.
Dhe dueli më interesant është ai i Lezhës, ku Besëlidhja pret Erzenin, ndërsa Burreli është mysafir në kryeqytet, për t’u ndeshur me Dinamon. Kastrioti dhe Vllaznia B përballen në Krujë, Korabi ndeshet në shtëpi me Egnatian, kurse në takimin e fundit, Besa udhëton drejt Pukës, për t’u ndeshur me Tërbunin.