AlbanianSport.com 02/03/2019 23:55
ASNN – Dueli tjetër i basketbollit të meshkujve, i luajtur dje në kuadër të javës së 14-të, ishte ai midis Tiranës dhe Vllaznisë, një derbi shqiptar jo pak i rëndësishëm për sportin e koshit në Shqipëri. Tirana u tregua shumë e fortë në këtë përballje, duke fituar me rezultatin 97-86. E vërteta është se pati mjaft rivalitet dhe shkodranët u përpoqën të gjenin fitoren që do t’u mundësonte të kalonin Kamzën në renditje, me të cilën kanë duelin e mbijetesës në Superligë. 10-minutëshi i parë përfundoi me shifrat 32-17 në favor të shtatlartëve bardheblu.
Ishte një diferencë mjaft e madhe krahasuar me cilësinë që kanë ekipet dhe njëherësh me rivalitetin që u pa në fushë. Sidoqoftë, Vllaznia do të reagonte në 10-minutëshin e dytë, duke pasur këmbëngulje për zotërimin e lojës sulmuese dhe njëherësh mbulimin e rreptë të kundërshtarëve. Kjo pjesë ishte një nga më rivalizueset e më të bukurat. Fituan shkodranët me shifrat 21-18, por kur ekipet shkuan në pushimin midis dy pjesëve të lojës Tirana udhëhiqte me rezultatin 50-38. Në 10-minutëshin e tretë Tirana riktheu “pushtetin” e saj në parket, duke dominuar dhe fituar me meritë me shifrat 26-18.
Kjo bëri që epërsia në rezultat të shkojë në 76-56, pra me 20 pikë diferencë. Kjo epërsi i dha mundësinë ekipit bardheblu të fusë në fushë edhe lojtarë të rinj, por me kujdes maksimal, sepse shkodranët insistonin që të befasonin edhe në minutat e fundit. Madje 10-minutëshi i fundit u fitua nga Vllaznia me shifrat 30-21, por pa pasur mundësinë e përmbysjes. Për pasojë, fitoi Tirana me rezultatin 97-86, duke marrë një dypikësh me vlera që e konfirmon në zonën e “play-off”-it, në vend të 4-t me 21 pikë, një më pak se Partizani.
Por dukshëm e shkëputur nga Kamza dhe Vllaznia që mbajnë vendet e fundit me respektivisht 17 dhe 16 pikë. Ndërkohë, Goga Basket po konfirmohet hap pas hapi si skuadra favorite për titullin në Superligën e basketbollit të meshkujve. Ekipi privat i Durrësit korri dje një fitore të rëndësishme me një tjetër skuadër pretendente sikurse është Partizani, të cilin e mundi me rezultatin 84-71, një ndeshje e luajtur në kuadër të javës së 14-të. Ishte një fitore bindëse dhe domethënëse për Gogën, e cila me këtë dypikësh forcon më tej pozitat e saj në renditje.
Sidomos ndaj Partizanit i cili mbetet në vend të tretë.
10-minutëshi i parë përfundoi me shifrat 22-12, diferencë që tregon se Goga është shumë e fortë dhe nuk kishte ndërmend të toleronte aspak në parket. Dominimi është i dukshëm në aspektin organizativ, ndërsa Partizani hasi në vështirësi në fillim që t’i përgjigjej ritmit të kundërshtarit. 10-minutëshi i dytë ishte sërish në favor të Goga Basketit, që e fiton dhe këtë pjesë me shifrat 22-15. Pra, kur ishte luajtur gjysma e ndeshjes, Goga Basket udhëhiqte me rezultatin 44-27, me plot 17 pikë diferencë. Në 10-minutëshin e tretë, Goga vijon të ruajë epërsinë e saj.
Duke dominuar dukshëm në shifra dhe duke shkuar drejt një fitoreje të thellë. Ajo e fiton edhe këtë pjesë me shifrat 24-17. Kur ishte krijuar një epërsi prej 24 pikësh, në periodën e fundit Goga e uli disi ritmin dhe kjo i dha Partizanit mundësinë të ngushtonte diferencat, por pa mundur të bëjë përmbysjen. Këtë 10-minutësh e fiton Partizani me shifrat 27-16. Megjithatë, krejt ndeshjen e fiton Goga Basket me rezultatin 84-71, duke mbetur në krye të renditjes me 26 pikë, një vend i parë i merituar deri tani, kurse Partizani mbetet në vend të tretë me 22 pikë tashmë.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 14-të
Të premten, 1 mars 2019:
Kamza – Teuta 83-100
Të shtunën, 2 mars 2019:
Tirana – Vllaznia 97-86
Goga Basket – Partizani 84-71
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- Goga Basket 14 12 2 26
- Teuta 14 10 4 24
- Partizani 14 8 6 22
- Tirana 14 7 7 21
- Kamza Basket 14 3 11 17
- Vllaznia 14 2 12 16