AlbanianSport.com 20/08/2021 21:10
ASNN – Trajneri i Tiranës flet pas fitores me Dinamon, shpreson edhe për një përforcim në merkato. Tirana ka mundur të enjten në mbrëmje Dinamon me rezultatin 2-0, në miqësoren e luajtur në Pogradec dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH 1. Për trajnerin e Tiranës, Orges Shehi, kjo ishte një fitore e dobishme për moralin.
“Një ndeshje miqësore shërben për të parë gjendjen e skuadrës, akoma nuk jemi të plotësuar pasi presim edhe lojtarë që të na vijnë në gjendje të mirë, – ka thënë ai. – Taulanti (Seferi) na u bashkua vetëm një ditë më parë, Çelhaka është ndeshja e parë që luan në miqësore. Do të shoh edhe situatën e Ismajlgecit dhe besoj se skuadra më pas do të jetë e plotë. Dihet që kundërshtari ka cilësi dhe është një nga pretendentët në kampionat për mendimin tim.”
Për kreun e stolit bardheblu, ekipi dalëngadalë po kristalizon fizionominë e tij. “Mendoj që na mungojnë edhe pak ditë, – thotë ish-futbollisti durrsak. – Me rikthimin e tre lojtarëve që në kokën time janë pjesë shumë e rëndësishme dhe besoj se për shumë pak mund të jemi gati 100%.” Ish-portieri i njohur nuk e fsheh nevojën për përforcime, por thotë: “Kam dëshirë që të kem edhe një përforcim, por në qoftë se nuk e arrijmë, besoj se jemi të kompletuar.”
Shehi pret një sezon të vështirë këtë vit në Kategorinë Superiore. Tirana e fitoi ndeshjen me Dinamon falë dy golave të shënuar në 10 minutat e fundit. me autorë Seferin dhe Limajn. Por pati edhe momente nervozizmi, ku protagonist u bë Ngo nga Tirana dhe Sofranak nga Dinamo. “Deri diku është derbi, – ka pohuar Shehi. – Pavarësisht se është miqësore, por ndjenja e derbit është e pranishme dhe situata të tilla në derbi ndodhin.”