AlbanianSport.com 03/01/2018 18:25
ASNN – Në kuadër të javës së 11-të të Kategorisë Superiore të këtij sezoni, Tirana u përball të premten me Teutën në Stadiumin “Tofik Jashari” të Shijakut dhe u mund me rezultatin 1-2. Në fakt, Tirana po e fitonte ndeshjen deri në minutën e 70-të, pasi Edon Hasani kishte realizuar në mesin e pjesës së parë, por dy golat e Ditmar Bicajt në fundin e ndeshjes i dhanë 3-pikëshin Teutës.
Për Tiranën mbeti një tjetër disfatë e një tjetër zhgënjim, por këtë herë edhe me pasoja, pasi bardheblutë zhyten përfundimisht në grupin e skuadrave të fundit të tabelës ku rrezikojnë rënien një kategori më poshtë. Bardheblutë kanë luajtur deri tani 990 minuta lojë, e kanë grumbulluar vetëm 9 pikë. Pra një pikë për 110 minuta lojë. Me këtë ecuri, rënia nga kategoria është e pashmangshme.
Dhe për t’i ikur kësaj gjendjeje duhet që Tirana të reflektojë, duke nisur nga presidenca e klubit, drejtuesit teknikë, lojtarët e tifozët. Nëse nuk ka bashkim dhe bashkëpunim, atëherë dështimi është i garantuar. Nuk kishte ndodhur më parë që Tirana të kishte një start kaq të dobët dhe përgjegjësia është e të gjithëve. Në 11 javë garë ka realizuar vetëm 10 gola (0.9 gola për ndeshje) e ka pësuar 14 gola (1.3 gola për ndeshje).
Janë këta tregues që tregojnë qartë se Tirana është në hall të madh këtë sezon, një mjerim të cilit as vetë trajneri tiranas “24 karat”, Ardian Mema, nuk po i jep dot zgjidhje. 2 fitore, 3 barazime e 6 humbje në 11 javë garë janë shifra që nuk i shkojnë për shtat Tiranës, nga e cila presin shumë tifozët e saj dhe sidomos “ultrasit” e saj. Asnjë skuadër nuk e ka më frikë Tiranën.
Madje edhe më të dobëtat bëjnë “dasmë” kur në kalendar kanë përballë Tiranën, pasi e dinë se mund të fitojnë pikë maksimale ndaj bardhebluve. Duhet parë historia e klubit për të gjetur ndonjë sezon të dobët si ky aktuali kur pesha e fanellës të ketë rënë kaq poshtë.