Adriatik Balla 12.05.2015 11:25
Bardheblutë shqyrtojnë mundësinë e zgjedhjes së një trajneri të huaj për ekipin në sezonin e ri. Tirana dështoi këtë sezon të fitojë trofe, edhe pse ishte deri në fund një pretendente serioze. Problemi i Tiranës ishte se nuk ruajti dot ritëm deri në javën e fundit dhe gaboi në disa ndeshje kyçe, duke humbur shpresat e saj dhe duke u dhënë epërsi kundërshtarëve në Kupë dhe kampionat, sidomos Skënderbeut dhe Kukësit. Parë në këtë kuadër, Tirana nuk ia doli të përmbushë objektivat e saj dhe po has vështirësi madje të përmbushë misionin për pjesëmarrje në Ligën e Evropës, megjithëse mbeten dhe dy javë deri në fund dhe ka shanse matematikore të mira që të paktën këtë objektiv ta realizojë.
Duke parë zhgënjimin e madh në këtë sezon, sidomos nga tifozeria e shumtë bardheblu që kërkon llogari dhe ndryshime, Tirana si klub po tenton të bëjë një strategji për trajnerin dhe lojtarët e edicionit të ardhshëm. Kanë dalë në media dy emra të kaluar, ish-trajnerë bardheblu, si Shkëlqim Muça dhe Mirel Josa, por orët e fundit ka marrë ngjyrë ndezëse opsioni për një trajner të huaj dhe Tirana e ka eksperiencën e mjaftueshme për të vendosur në favor të një trajneri të tillë. Pista kroate është më e mundshmja, nisur nga trajnerët e mirë, shkolla e tyre taktike dhe njohuritë apo dhe lidhjet me futbollin shqiptar. Ilia Lonçareviç dhe Blazhe Slishkoviç kanë qenë më parë trajnerë të Tiranës.
Ata mund të shihen sërish si kandidatura potenciale për të marrë drejtimin e Tiranës. Deri në qershor kjo pistë do të diskutohet përditë, për të gjetur trajnerin e duhur që do të drejtojë bardheblutë në sezonin e ri dhe sa më shumë afron merkato, aq më shumë lind
nevoja për trajner të huaj.