AlbanianSport.com 27/01/2019 20:45
ASNN – Tirana e ka nisur me furi vitin 2019, duke regjistruar një fitore të madhe në zonën e ftohtë të tabelës, pasi mundi rivalen e mbijetesës, Kamzën, me rezultatin e thellë 4-1. Në fillim shënoi Kamza, me anë të Sebino Plakut, i cili e çoi skuadrën e tij në epërsi në fraksionin e parë të lojës, duke i dhënë shpresë për fitore dhe largim nga vendet e fundit. Por një karton i kuq në fund të pjesës së parë për Beqirin e ndërlikoi tërësisht ndeshjen për Kamzën dhe i solli pasoja në minutat në vijim.
Deri në këtë moment Kamza ishte psikologjikisht shumë lart dhe Tirana po vuante presionin e disavantazhit. Në pushimin midis dy pjesëve trajneri Ardian Mema merr masat e duhura për sulmin, duke rritur forcën në repartin ofensiv. 11-metërshi i humbur nga Majkëll Ngo në pjesën e parë kishte sjellë tension tek sulmuesi, i cili në pjesën e dytë e përmirësoi ndjeshëm lojën e tij dhe shtyu përpara për t’i dhënë Tiranës epërsi në vijën sulmuese.
Dhe menjëherë sapo nisi pjesa e dytë Tirana u hodh në sulm, por goli do të vonte për shumë minuta. Sidoqoftë, Tiranës iu deshën 15 minuta, midis asaj të 60-të dhe asaj të 75-të, që të përmbyste Kamzën e madje të shënonte 4 gola që do t’i jepnin fitoren e padiskutueshme skuadrës së Memës. I pari që gjeti rrjetën ishte Edon Hasani në minutën e 60-të, i cili barazoi shifrat 1-1. Shënimi i golit çliroi psikologjikisht Tiranën, që, duke qenë edhe me një lojtar më shumë në fushë, e pati më të lehtë përmbysjen.
Majkëll Ngo shënoi golin e dytë në minutën e 66-të, duke i dhënë drejtim fitores bardheblu, ndërsa Hasani shënoi golin e tretë në minutën e 72-të. Kamza hapet për të kërkuar golin dhe kjo rezultoi fatale për të, pasi në minutën e 75-të ishte radha e Dokës që të shënonte golin e “nokautit” në portën e kamzalinjve. Ishte goli i 4-t dhe i fundit i kësaj ndeshjeje dhe Tirana merr tri pikë që e çojnë në 20 pikë gjithsej.
Në vend të 7-të sërish, por tashmë e shkëputur nga ndjekësit. Me këtë ritëm që e nisi të dielën, Tirana mund të pretendojë, pse jo, të kapë grupin e kryesuesve. Në një kampionat si ky, gjithçka mund të ndodhë dhe këtë e vërtetuan ndeshjet Kukësi-Laçi dhe Teuta-Flamurtari.
Kategoria Superiore
Java e 19-të
Të premten, 25 janar 2019:
Skënderbeu – Partizani 0-1
Të shtunën, 26 janar 2019:
Kukësi – Laçi 0-0
Të dielën, 27 janar 2019:
Luftëtari – Kastrioti 1-5
Tirana – Kamza 4-1
Teuta – Flamurtari 1-1
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Partizani 40
- Kukësi 35
- Teuta 34
- Laçi 31
- Skënderbeu 30
- Flamurtari 29
- Tirana 20
- Luftëtari 17
- Kamza 15
- Kastrioti 13