AlbanianSport.com 02.12.2016 20:25
ASNN – Është mbyllur në barazim 0-0 derbi i 147-të i kryeqytetit, ai midis Tiranës e Partizanit. Kjo sfidë do të mbahet mend nga të gjithë për shkak se është luajtur në dy ditë. Nisi të enjten në mbrëmje por u ndërpre në minutën e 63-të, për shkak të mungesës së energjisë elektrike në Stadiumin “Selman Stërmasi”, teksa rezultati ishte 0-0.
Edhe 27 minutat e mbetura, të luajtura të premten duke nisur nga ora 14:00 nuk sollën ndryshim rezulati. Për t’u theksuar është se Partizani luajti më mirë në këto minuta, teksa rrezikoi në të 66-ën minutë me anë të Bardhit, i cili me një “finte” të zgjuar brenda zonës e dërgon topin jashtë, kur ishte fare pranë portierit Lika.
Spektakli koreografik nuk ka munguar edhe të premten kur hidhen fishekzjarrë me ngjyrat kakrakteristike të skuadrës së Tiranës, nga tifozët bardheblu. Ashtu siç ka ndodhur në ndeshjet e fundit midis këtyre dy skuadrave, nuk kishte si të mungonte edhe kartoni i kuq. Në minutën e 88-të, Karabeci del me karton të kuq, duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë.
Në përfundim të këtij takimi, të dyja skuadrat marrin nga një pikë, duke mos sjellë asnjë ndryshim në renditje, Partizani me 24 pikë në vendin e 3-të, ndërsa Tirana në të 4-tin me 22 pikë. Sikundër 63 minutat e para, edhe 30 minutat e fundit të kësaj sfide u transmetuan drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.