Nga Brikena Kuka 12.03.2015 22:35
Derbi i 141-të i kryeqytetit, Tirana-Partizani do të luhet të premten në orën 19.00, në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Dy skuadrat me më shumë trofe në vend, do të luajnë jo vetëm për sportdashësit por edhe për titullin “kampion”. Të gjithë presin spektakël dhe futboll të bukur nga lojtarët e këtyre dy skuadrave historike të kampionatit shqiptar.
Tirana-Partizani, të premten, në orën 19.00, derbi i 141-të i kryeqytetit, në stadiumin Qemal Stafa. Një ndeshje e rëndësishme dhe me peshë. Plot 39 tituj kampionë zbresin në fushë, 24 të fituar nga bardheblutë dhe 15 nga të kuqtë. 140 ndeshje të luajtura në kampionat e kupë. Edhe pse ka fituar më shumë tituj kampionë, Partizani kryeson me 55 fitore kundrejt 43 të Tiranës, në përballjet midis tyre.
Ndërsa 42 ndeshje kanë përfunduar në barazim. 199 gola ka shënuar Partizani, 159 gola ka shënuar Tirana. Një histori e tërë përballjesh, emocionesh, ankthesh, golash, gëzimesh dhe hidhërimesh. Është derbi i kryeqytetit, por jo vetëm në fushë, edhe në shkallët e stadiumit. Dy tifozeritë më të zjarrta të vendit, “Fanatiks”-at e Tiranës dhe “Guerrils”-at e Partizanit, në një pritje të ankthshme për të inkurajuar skuadrat e tyre të zemrës drejt fitores
. Koreografitë e secilës tifozeri do të jenë një aspekt tjetër i veçantë i derbit, ku surprizat nuk do të mungojnë. Për sfidën e së premtes, trajneri i bardhebluve, Gugash Magani ka vendosur të luajë me këtë formacion: në portë Frashëri, në mbrojtje, taku, Muça, Curri dhe Ristevski. Në mesfushë Muzaka, Bulku, Karabeci dhe Kahata, ndërsa në sulm Morina dhe Bushiç.
Ndërsa nga kampi i kuq, trajneri Duro mendon të hedhë në fushë këtë formacion: Hoxha në portë, Cuculi, Krasniqi, Vrapi dhe Fejzullahu në mbrojtje, në mesfushë Trashi, Batha, Daja e Mazrekaj. Në sulm: Vila dhe Raçiç. Të premten në orën 19, të gjithë presin spektakël dhe futboll të bukur, në takimin që sikundër çdo ndeshje e madhe, do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.