AlbanianSport.com 12/10/2018 18:55
Ardian Mema do të jetë trajneri i ri i Tiranës. Dhe ai ka nisur menjëherë nga përgatitjet, teksa ka marrë postin e trajnerit të Tiranës ditën e sotme. Pasi ka zhvilluar seancën e parë stërvitore, ai ka kërkuar të shohë gjendjen e grupit. Menjëherë, ditën e nesërme ekipi do të zhvillojë një test miqësor me ekipin e Nën-19-vjeçarëve, ku trajneri do të shohë më mirë situatën e lojtarëve.
Këtë pasdite në fushën stërvitore të Kompleksit “Skënder Halili” ka mbërritur menjëherë trajneri i ri, i cili i është vënë punës për stërvitjen e skuadrës bardheblu. Tirana nuk ka aspak kohë për të humbur, pasi as kalendari nuk e favorizon. Ironia për Ard Memën qëndron se pikërisht ndeshjen e parë në kampionat, do ta luajë kundër mentorit të tij, Ilir Dajës, pra kundër Flamurtarit.
Më pas, vijnë dy ndeshje jashtë radhazi, ndaj Kamzës e Teutës, ndërsa më pas sfida ndaj Kukësit. Kështu, ekipi që i ka dhënë emër dhe ka kaluar vitet më të bukura si futbollist, e rikthen tashmë Ardian Memën në shtëpi për t`i besuar rolin e trajnerit. Në fakt ky rol është sa i bukur aq dhe me përgjegjësi, por për një njeri që e dashuron fanellën bardheblu, nuk ka kohë për të humbur, madje as për të pritur prezantimin zyrtar.
Trajneri i ri i ekipit ka nisur punën fillimisht duke bërë një mbledhje me skuadrën, ndërsa më pas ka vijuar stërvitjen. Ai ka qenë i shoqëruar gjatë seancës stërvitore nga trajneri i portierëve, Emanuel Egbo, i cili do të vijojë të jetë pjesë e stafit.