AlbanianSport.com 25/10/2018 17:05
ASNN – Trajneri i Tiranës Ardian Mema ka pasur një përplasje me lojtarin Majkëll Ngo. Situata u përshkallëzua më tepër, pasi Ngo kishte ndërhyrje të ashpra ndaj shokëve të ekipit dhe një sjellje që trajneri më pas e konsideroi “rrugaçërore”. Duket qartë se Mema po has në vështirësi me grupin dhe disiplinimin e tij.
Është fakt evident që Tirana ka vuajtur gjithmonë për faktin se lojtarët e saj, nisur nga pasha e fanellës dhe e klubit, sillen si gjeneralë edhe kur nuk janë as ushtarë të mirë. Ngoja është një rast tjetër, është pikërisht ai rasti kur lojtari del nga “binarët” dhe nuk i duhet më askujt.
Për këtë është i qartë dhe vetë trajneri Mema, që pasi e ka pezulluar i ka treguar derën, me shoqërimin e togfjalëshit të zakonshëm “S’je më në planet e mia”. Sot paradite, vetë Mema ka sqaruar situatën në lidhje me Ngonë. “Është diskutuar incidenti në stërvitje me Ngonë, – tha Mema në konferencën për shtyp, – dhe nuk jam i qartë se si do të veprohet me të.”
“Ngoja dhe çdo lojtar largohet nëse ka sjellje rrugaçërie, – ka vijuar trajneri bardheblu. -Çdo lojtar duhet të jetë i disiplinuar si brenda ashtu edhe jashtë dhe kjo është ajo që unë kam si trajner. Nuk e di si vendos klubi dhe kam rregullat e mia si trajner, por ai nuk është në planet e mia dhe nuk e besoj se do të jetë.”