Adriatik Balla 06.06.2015 21:05
Tirana ende është larg formatimit të saj për sezonin e ri, ndërkohë që trajnerin e sapoemëruar në krye të bardhebluve, Shkëlqim Muça, e pret një sfidë shumë e vështirë në këtë drejtim, pasi Tirana që ai do të marrë në drejtim nuk ka gjysmën e grupit. Janë shumë pak lojtarë në dispozicion, kryesisht të rinj dhe disa që kanë kontratë më shumë se njëvjeçare me klubin, kurse të tjerët ose u ka mbaruar kontrata, ose janë larguar.
Kjo situatë është shqetësuese dhe do të jetë një barrë e rëndë për trajnerin, të cilit i duhet të hartojë një listë me lojtarët e dëshiruar, me bindjen se do ta formatojë në kohë ekipin e sezonit të ri. Janë plotë 12 futbollistë që janë nën kontratë me bardheblutë, teksa drejtuesit mendojnë t’i shtojnë elementë cilësorë këtij grupi. Pavarësisht se disa prej tyre nuk kanë lënë gjurmë në sezonin që sapo u mbyll, duket se kontrata do t’i mbajë sërish në kryeqytet me 24-herë-kampionët.
Edhe pse përflitet për një rikthim të Isli Hidit, Tirana për momentin ka nën kontratë të tre portierët, Stivi Frashërin, Edvan Bakaj dhe Marsel Caka. Mesfushorët Argjend Malaj, Ervin Bulku, Gjergji Muzaka, Frensis Kahata, Dorian Kërçiku, Jetmir Sefa dhe Erando Karabeci janë të lidhur me kontratë me klubin dhe pritet të jenë pjesë e skuadrës edhe nën drejtimin e Shkëlqim Muçës. Emrave të tjerë si Curri, Muça, Pashaj, Kalari, Hyshmeri, Taku apo Morina i ka përfunduar kontrata me mbylljen e sezonit.