AlbanianSport.com 22.09.2015 20:25
ASNN – Sjellja e vërejtur nga Zhilberto Fortunati në momentin e ndërrimit në ndeshjen e së hënës ndaj Skënderbeut ka qenë në fokus të analizës që trajneri i Tiranës, Shkëlqim Muça, ka zhvilluar sot.
Gjatë analizës së zhvilluar sot në mjediset e Kompleksit Sportiv “Skënder Halili” në kryeqytet, trajneri bardheblu i ka vënë në dukje skuadrës së tij gjërat që shkuan dhe ato që nuk funksionuan në ndeshjen e fundit me Skënderbeun.
Sipas asaj që raporton faqja zyrtare e klubit bardheblu, trajneri i ka thënë skuadrës së është i kënaqur me lojën e zhvilluar dhe se ka besim se ekipi do të gjej që këtë javë fitoren e munguar.
Muça është ndalur gjithashtu edhe tek problemet disiplinore. Në momentin e zëvendësimit të Zhilbertos në ndeshjen me Skënderbeun, sulmuesi nuk është ulur në stol, por menjëherë i është drejtuar dhomave të zhveshjes.
Trajneri i ka bërë të ditur sulmuesit se veprime të tilla penalizohen me gjobë. “Jo vetëm ai, por kushdo tjetër lojtar që bën nje sjellje të tillë do të penalizohet”, – ka deklaruar Muça.
Nga ana e tij, braziliani Zhilberto ka kërkuar ndjesë për këtë episod e më pas analiza është përqendruar tek 90 minutat taktike.