AlbanianSport.com 01/01/2018 17:15
ASNN – Ardian Mema e quan keqkuptim përplasjen në distancë me Ze Marinë, “rrëfehet” edhe për konfliktin me Ngonë. Trajneri i Tiranës tha se nuk ka kritikuar paraardhësin e tij për asgjë, madje shfaqi habi në konferencën për shtyp të dhënë të enjten për mediat, por, i pasigurt për atë që kishte deklaruar, Mema i kërkoi falje Ze Marisë për fjalët.
Shkak ishin bërë sipas medias sportive të shkruar deklaratat e trajnerit Mema për gjendjen fizike të skuadrës, ku ai kishte kritikuar ish-trajnerin brazilian. Ky i fundit menjëherë pas këtyre deklaratave reagoi fort dhe midis dy trajnerëve pati një përplasje në distancë. Por Mema reagoi ndryshe në konferencë. Ai la të kuptohej se kishte qenë keqkuptim, madje foli fjalë të mira për trajnerët e Tiranës, përfshi dhe Ze Marinë.
“Nuk besoj se i kam thënë këto fjalë, – u shpreh Mema, – ama nëse e kam thënë diçka të tillë (që nuk besoj ta kem thënë), do t’i kërkoj ndjesë publike Ze Marisë. Së pari, unë nuk kam sfidë me atë, apo me dikë tjetër. Ze Marian dhe gjithë ish-trajnerët e Tiranës i respektoj sepse kanë punuar për këtë klub. Jam pjesë e Tiranës që fëmijë dhe parimi im është që të respektoj gjithë trajnerët që kanë punuar.”
“Pjesa tjetër më duket e tepërt të flas, – ka vijuar ai. – M’u duk një lajm artificial. Çdo njeri do të bëjë punën sa më mirë, si Ze Maria, Mema, apo dikush tjetër që ka qenë më parë këtu. Kjo është çështje e mbyllur, nuk më intereson kjo pjesë. Nëse merrem, është gabim i imi dhe nuk do e bëj kurrë.” Më pas trajneri bardheblu komentoi dhe një herë tjetër situatën që çoi në pezullimin e lojtarit Majkëll Ngo.
Për herë të parë trajneri zbuloi se lojtari kishte tentuar të përplasej fizikisht edhe me trajnerin. Madje Mema tha se futbollisti kishte përdorur një fjalor të rëndë sa nuk e mbante goja të shprehej. “Ishte një moment që e kam pezulluar, – vijoi trajneri Mema, – i thashë “dil jashtë” pasi goditi një me bërryl dhe me shkelm. Nuk e përzura nga ekipi, vetëm e këshillova të largohej.”
“Por në momentin që më erdhi afër dhe më tha diçka në anglisht, që nuk ma zë goja ta them, u vu në diskutim personaliteti im para grupit, – ka zbuluar ish-futbollisti bardheblu. – Nuk dua të them që jam unë i pari, jemi të gjithë bashkë. Do të bëjë të njëjtin veprim nëse do të fyente dikë tjetër, apo dikush tjetër dikë tjetër. Duhet disiplinë, ndryshe nuk jemi si familje. Nëse nuk ka grup, ka probleme.”