AlbanianSport.com 05.05.2015 16:35
ASNN – Jo më pak të forta se ato të homologut të tij të kuq, Shpëtim Duro, kanë deklaratat e trajnerit të Tiranës, Gugash Magani. Në një atmosferë të acaruar në mbyllje të takimit në “Qemal Stafa”, ai akuzoi mënyrën sesi u luajt kampionati. “Nuk jam i kënaqur me rezultatin, por skuadra u shpreh mirë në fushë”, – tha peqinasi i stolit të bardhebluve kryeqytetas.
“Lamë dy pikë por skuadra tregoi grintë dhe nëse do të ishim treguar më të qetë mund ta kishim fituar ndeshjen, – vijoi ai . Nëse do të luanim me këtë ekuilibër gjatë gjithë kampionatit, do të kishim më shumë pikë”. Magani u shfaq dukshëm i zhgënjyer pas barazimit në “Qemal Stafa” dhe trajneri peqinas analizoi golat e pësuar, duke hequr peshën e përgjegjësisë nga reparti i mbrojtjes.
“Goli i parë i pësuar ishte një gabim joni në mesfushë, ndërsa i dyti ishte me fat, – tha ai pas ndeshjes për mikrofonin e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, që e solli drejtpërsëdrejti këtë derbi të 142-të. – Ne kemi humbur dy pikë dhe kjo është ajo që nuk më kënaq”. Magani sqaroi se ndërrimi i Sefës ishte i detyruar për shkak dëmtimi, ndërsa mbroi vendimin e tij për ta futur sulmuesin Ndikumana nga stoli.
Në fund, ai replikoi me kolegun Duro duke iu kundërpërgjigjur me një batutë. “Unë nuk gëzohem kur skuadra ime barazon siç bëjnë të tjerët, – tha trajneri i Tiranës. – Mendoj se jemi më mirë se Partizani dhe do të luftojmë deri në fund për një vend në Kupat e Evropës. Në fund do ta shikojmë se kush do të renditet i dyti.” Nuk dihet nëse ai do të vazhdojë në stol edhe sezonin e ardhshëm.