Adriatik Balla 13.06.2015 20:55
Klubi i Tiranës nuk po kalon një moment të mirë, pasi mbylli një sezon të dështuar totalisht, duke mos siguruar as trofe e as pjesëmarrjen në Ligën e Evropës. Parë në këtë kuadër, dështimi ishte i tillë që lojtarët që janë në gjirin e saj po tentojnë kush e kush më parë të largohen, për të gjetur destinacione të reja, sidomos në radhët e klubeve të Superiores që kanë siguruar pjesëmarrjen në veprimtaritë evropiane të UEFA-s. Tiranës i mungojnë plot gjysma e skuadrës për të qenë një grup i plotë.
Në këtë merkato vere, bardheblutë e drejtuar nga Shkëlqim Muça duhet të blejnë të paktën 10 lojtarë, një pjesë prej të cilëve të jenë lojtarë cilësorë që të mund të bëjnë diferencë. Por afrimet nuk po ndodhin dhe jo vetëm kaq, ka largime të elementëve më të mirë. Pas ikjes së Elis Bakajt, që zgjodhi kampionatin izraelit për sezonin e ardhshëm, Tiranës i iku dje edhe mbrojtësi Gentian Muça, që vlerësohej si një nga pikat e forta të skuadrës. Atë e bindi Kukësi që luan në Ligën e Evropës.
Tirana nuk arriti ta shikojë dritaren evropiane për këtë verë, por Gentian Muça po. Mbrojtësi i bardhebluve do të aktivizohet në Ligën e Evropës për të mbrojtur ngjyrat e Kukësit. Në këtë mënyrë 28 vjeçari që njihet për lidhjen e tij të fortë me fanellën bardheblu do të transferohet për pak muaj te nënkampionët e Shqipërisë si një përforcim i Kukësit për aventurën në Ligën e Evropës. Trajneri i skuadrës verilindore Miodrag Radanovic e ka dashur me çdo kusht Muçën për përballjet kontinentale.
Futbollisti bardheblu shihet si një zëvendësim ideal për të plotësuar vendin e lënë bosh nga Erjon Dushku dhe dy klubet kanë arritur një marrëveshje në bazë të së cilës Muça do të kalojë nën urdhrat e trajnerit serb vetëm për eksperiencën në Ligën e Evropës. Pas kërkesës së Kukësit te Tirana, ka triumfuar dëshira e mirë për të ndihmuar një skuadër shqiptare në përfaqësimin ndërkombëtar, duke pranuar huazimin “në thonjëza” të mbrojtësit kryeqytetas.
Në fakt Muça ishte i lirë nga detyrimet kontraktuale, por lidhja e tij e fortë me Tiranën është e njohur botërisht ndaj pas përfundimit të aventurës në Ligën e Evropës me Kukësin do të ulet sërish me drejtuesit bardheblu për të vendosur pikat mbi “i” për kontratën e sezonit të ardhshëm me Tiranën. Mbetet që bardheblutë të operojnë shpejt në merkato, për të formatuar si duhet grupin dhe për të nisur përgatitjet për sezonin e ri. Ambiciet e skuadrës 24-herë “kampione” në Superioren e edicionot të ri janë të mëdha.