AlbanianSport.com 20.03.2016 22:35
ASNN – Tirana dhe Kukësi kanë shënuar nga një gol dhe kanë ndarë nga një pikë secila, në takimin e javës së 27-të të Kategorisë Superiore, që u zhvillua të dielën. Kjo sfidë u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Skënderbeu dhe Partizani korrën fitore, përkatësisht në shtëpi ndaj Flamurtarit dhe në Durrës ndaj Teutës, duke vijuar në distancë duelin e kreut.
Java e 27-të e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, e cila ka nisur të shtunën me takimin Tërbuni-Laçi, që u mbyll në barazim 1-1, ka vijuar të dielën me 4 takimet e tjera. Kështu, pasdreke, është luajtur në Ballsh takimi Bylis-Vllaznia, që është fituar nga miqtë me një gol të vetëm të Kalasë, ndërsa 3 takimet e tjera janë luajtur në mbrëmje.
Midis tyre, spikati padyshim dueli i kryeqytetit, midis Tiranës dhe Kukësit, që u luajt në Stadiumin “Selman Stërmasi”, i cili ndezi për herë parë prozhektorët. Kjo sfidë, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka qenë kryesisht me barazpeshuar, por Tirana e mbylli pjesën e parë në epërsi, me një gol të të Muzakës.
Por pjesa e dytë nis më mirë për miqtë, që menjëherë pas një rasti të humbur, gjejnë edhe golin e barazimit, me anë të Erik Flores. Një takim tjetër interesant i i mbrëmjes ka qenë ai i Durrësit, ku Teuta është mundur me dy gola në pjesën e dytë nga Partizani, ndërsa në ndeshjen e fundit të javës së 27-të, Flamurtari ka qenë mysafir në Korçë, ku është ndeshur me kampionen në fuqi dhe kryesuesen e renditjes, Skënderbeun dhe është mundur me shifrat e thella 1-5.
Korçarët mbajnë vendin e parë në Superiore, me 63 pikë, 4 më tepër sesa Partizani i vendit të dytë, ndërsa Kukësi mban vendin e 3-të të renditjes, me 45 pikë, dhe Teuta të 4-tin me 44. Tirana mban vendin e 5-të, me 41 pikë.