Adriatik Balla 09.05.2015 18:00
Statistikat e dobëta të Tiranës në këtë sezon i kanë shkaqet e tyre, që lidhen me paraqitjen jo të mirë të disa lojtarëve e njëherësh të reparteve të veçantë. Kështu, porta ka qenë një nga pikat e dobëta të Tiranës këtë edicion, dëshmuar me pasiguri të portierëve që janë aktivizuar dhe me pësim të shumë golave.
Nëse Tirana nuk fitoi asnjë derbi me Partizanin këtë sezon është se jo vetëm nuk luajti mirë, por pati probleme me portën, ku portierët e saj nuk ia dolën të evitonin gola që nga portierë normalë ishin të evitueshëm. Për pasojë humbjet kushtojnë. Për të mundësuar ndryshime, Tirana ka planifikuar që në sezonin e ri të afrojë në radhët e saj ish-portierin e vet, Isli Hidin.
Gardiani bardheblu aktivizohej vitet e fundit në kampionatin qipriot, por Tirana ka ndërmend ta kthejë në shtëpi, duke pasur besim se me Hidin në portë mund të bëhen realitet objektivat. Hidi ka luajtur në nivele të larta, madje është aktivizuar në shumë ndeshje edhe me ekipin kombëtar dhe shihet si një përforcim i madh për Tiranën.
Padyshim që kjo është një lëvizje surprizuese e Tiranës, ende pa nisur zyrtarisht merkato e verës.