AlbanianSport.com 01.05.2015 10:40
ASNN – Në konferencën për shtyp, Dorian Kërçiku i Tiranës ka bërë analizën e tij në prag të derbit me Partizanin, duke thënë.“Ky është derbi i katërt dhe i fundit për këtë sezon. Nuk e mendoj fare humbjen, pasi ne do të futemi në fushë për trepikëshin dhe do t’ia dalim.”
“Ky do të jetë derbi ynë dhe qyteti do të vishet bardheblu, – ka vijuar ai. – Do t’ia lëmë kohës, ndërsa përgjigjen Cuculit do t’ia japim në fund të 90 minutëshit. Kjo është ndeshja e radhës dhe e dimë që pritshmëria është e madhe. Do të futemi në fushë me ide të qarta për të fituar dhe për të qenë sa më pranë titullit “kampion”.”
“Do t’u rikthejmë buzëqeshjen tifozëve, – ka deklaruar më tej futbollisti kryeqytetas. – Pres që të jenë sa më të shumtë në numër dhe të na mbështesin, ashtu siç dinë të bëjnë vetëm ata. Tashmë çdo ndeshje është një finale për ne dhe e kemi të qartë se duhet maksimumi në këto 4 ndeshje që kanë mbetur.”
“E kemi në dorë vetë dhe kjo të paktën na krijon një lloj qetësie. Nuk duhet të presim prej të tjerëve. Mjafton që të hënën të fitojmë”, – ka përfunduar futbollisti i Tiranës, Dorian Kërçiku.