AlbanianSport.com 19.11.2016 12:55
ASNN – Mirel Josa kërkon të injektojë tek Tirana mendësinë e kampiones, duke pretenduar gjithmonë e më tepër. I kujdesshëm në deklarata përpara sfidës me Laçin, kreu i stolit të bardhebluve të kryeqytetit kërkon që hapat të hidhen me radhë, ku fillimisht 24 herë kampionët duhet të përqendrohen te marrja e pikëve të plota, e më pas të mendohet për spektaklin.
Tirana përballet me Laçin të dielën në kryeqytet, duke mos njohur humbje në 6 vjet e gjysmë përballë kurbinasve, por, për ndeshjen e të dielës, kjo dhe asnjë statistikë tjetër nuk vlen. “Unë në futboll nuk eci aspak me histori, – ka këmbëngulur Josa. – Një skuadër si Tirana ka histori shumë të madhe, por ka një periudhë tepër të gjatë që nuk del në Kupat e Evropës.”
“Ajo fanellë do njerëz që ta veshin, do prestigj dhe personalitet, – ka vijuar ai. – I njohim kërkesat që ka tifozeria dhe jemi përpara një përgjegjësie shumë të madhe. Por, kjo situatë nuk na step. Duhet të jemi të qetë në punën tonë, sepse po luajte futboll me presion, edhe ato gjëra që i di rrezikon t’i humbasësh.” Për Josën, e rëndësishme është ndërrimi i mendësisë, nëse Tirana synon të rikthehet tek titujt.
“Tirana ka për objektiv t’i fitojë të gjitha ndeshjet, – ka thënë trajneri bardheblu. – Tirana nuk hyn në ndeshje për të barazuar apo për të humbur. Është normale që ne të kemi një tjetër lloj kërkese, apo edhe juve ndaj nesh, që skuadra të fitojë. Nëse fiton Tirana, unë mendoj për qetësinë një javore të ekipit.” Takimi midis Tiranës dhe Laçit luhet të dielën, duke nisur në ora 17:00, në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet.