AlbanianSport.com 28.12.2016 17:05
ASNN – Që në fillim e kishte theksuar një gjë të tillë dhe periudha që ka shërbyer si trajner i bardhebluve thjesht ia ka konfirmuar bindjen që kishte se Tirana ka nevojë për lojtarë të tjerë në mbrojtje dhe sulm, por kjo do të varet edhe nga largimet.
Duke folur për mediat shqiptare, trajneri i kryeqytetasve, Mirel Josa, e pranoi situatën që ekziston, duke thënë se jo të gjithë lojtarët e huaj kanë bindur, por klubi duhet të tregohet i kujdesshëm për të mos shtuar barrën financiare.
“Do të mundohemi të bëjmë maksimumin me këtë kontingjent që kemi në dispozicion dhe do të jetë mirë nëse do të marrim ndonjë lojtar tjetër”, – ka deklaruar trajneri i Tiranës, Mirel Josa.
“Nuk mund të jap garanci, pasi është problemi i futbollistëve të huaj, që jo të gjithë kanë bindur”, – ka shtuar ai. Dëmtimet në pjesën e parë të kampionatit detyruan si Ilir Dajën dhe Mirel Josën të përshtatnin lojtarët në role të tjerë në fushë.
Për këtë arsye, Tirana e mbylli gjysmën e parë të Kategorisë Superiore duke u renditur e katërta, me 9 pikë më pak se Kukësi kryesues, por Josa mendon se objektivat mund të vendosen vetëm me kalimin e ndeshjeve.
“Distancim nuk ka, pasi me një ndeshje mund të afrohemi dhe me dy mund të shtohen pretendimet”, – ka thënë ai. Tirana është ende në garë edhe në Kupën e Shqipërisë ku do të përballet pikërisht me Kukësin në fazën çerekfinale.