AlbanianSport.com 31.10.2015 10:10
Ilir Daja do të ketë debutim të vështirë si trajner i Tiranës, pasi ekipi bardheblu ka shumë dëmtime ndaj Kukësit. Të drejtosh Tiranën është kënaqësi, por fillimi pritet i vështirë. Ilir Daja, trajneri i ri, do të ketë një provë force ndaj Kukësit këtë të diel, me mjaft mungesa në formacion.
Në apel nuk do të jenë lojtarë të rëndësishëm si Ervin Bulku, Gjergji Muzaka, Ronald Gërçaliu, që janë të dëmtuar prej disa kohësh, por atyre u janë shtuar Erion Vucaj, ende jo i riaftësuar plotësisht, dhe Erando Karabeci i pezulluar. Sidoqoftë, një lajm i mirë dhe për Tiranën është rikthimi i Elis Bakajt, njërit prej lojtarëve kryesorë të sulmit.
Daja po përpiqet të bëjë maksimumin në pak ditë që ka në dispozicion, dhe nuk ishte habi që në dy seanca stërvitore në ditë i mbajti lojtarët 5 orë në fushën e stërvitjes. Fitues titujsh “kampion” me Dinamon dhe Elbasanin, Daja dëshiron ta bëjë diçka të tillë edhe me bardheblutë.
Gjatë prezantimit të së mërkurës, ai u shpreh se nuk dëshiron të fshihet dhe të kërkoj disa muaj kohë për të arritur suksesin. Po ashtu, nga presidenti Halili i është premtuar pavarësi e plotë në punën e tij, ndonëse tek Tirana flitet shumë dhe gjithmonë për përçarje.
Pas shkarkimit të shumë trajnerëve kohët e fundit, dhe me më shumë se 6 vjet pa provuar shijen e titullit, ende nuk është e sigurt nëse klubi më i lavdishëm i futbollit në Shqipëri, do të arrijë suksesin me Ilir Dajën.