Adriatik Balla 06.06.2015 12:25
Tirana nuk është më pa trajner dhe shpresat e bardhe bluve për sukses po gjallërohen me shpejtësi, që kur presidenti Halili zyrtarizoi trajnerin e ri, Shkëlqim Muça, njohësin e mirë të futbollit tonë dhe njeriun që ngjall shpresë për ta kthyer Tiranën tek trofetë. Shkëlqim Muça u prezantua dje te ekipi i tij i ri në mjediset e Stadiumit “Selman Stërmasi”. Fillimisht fjalën gjatë prezantimit të trajnerit e ka marrë presidenti i bardhebluve, Refik Halili i cili u shpreh i lumtur për këtë rikthim të trajnerit te 24 herë kampionët e Shqipërisë dhe theksoi gjithashtu se projekti me Muçën është afatgjatë.
“Jam i lumtur që Shkëlqim Muça është rikthyer në shtëpinë e tij pas kaq shumë vitesh, – ka deklaruar Halili. – Ai është një trajner mjaft i mirë dhe jam i bindur se do të japë maksimumin për ta rikthyer Tiranën atje ku i takon. Ne kemi një kontratë 3-vjeçare me trajnerin e ri dhe duam të arrijmë sa më lart. Unë i uroj suksese atij në këtë aventurë të re.” Ndërkohë Muça u duk mjaft i emocionuar për rikthimin e tij te bardheblutë. 55-vjeçari premtoi se do të japë maksimumin për ta rikthyer Tiranën në nivelet më të larta.
“Jam shumë i lumtur për rikthimin tim në shtëpi, – ka deklaruar Muça. – Është një përgjegjësi shumë e madhe të jesh trajner i këtij ekipi dhe duhet ta marrësh punën seriozisht. Besoj dhe shpresoj shumë që së bashku me drejtuesit të punojmë fort dhe ta ngremë Tiranën në nivelet që i takon. Me këtë klub mua nuk më lidh kontrata, por ideja dhe vizioni për të ndërtuar një skuadër siç i ka hije. Merkato? Nuk mund të flas që në këto momente, pasi është ende shpejt. Ne do të përgatitemi dhe do të afrojmë në ekip lojtarë që e meritojnë ta mbajnë veshur këtë fanellë.”