Nga Altin B. Kodra 01.12.2016 20:40
ASNN – 3 fitore dhe po aq humbje në këto 6 ndeshjet e para mund të mos cilësohet një bilanc për t’u ngazëllyer, por këto shifra të thjeshta fshehin një të vërtetë që premton. Tirana ka korrur fitoren e 3-të në fazën e parë të Ligës Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj (BIBL), të dytën radhazi në pak ditë, duke mposhtur në kryeqytet Pejën me rezultatin e ngushtë 76-73.
Më tepër se një fitore, ajo që vlen të theksohet është se ndaj kujt dhe se si u fitua ndeshja e sotme. Kjo fitore u arrit ndaj Pejës, njërës prej skuadrave më të mëdha të basketbollit kosovar të 10-20 viteve të fundit dhe që ka konkurruar me sukses relativ edhe në basketbollin e rajonit dhe Evropës. Po kështu, u arrit ndaj një kundërshtari që në pushim e madh midis dy gjysmave kryesonte me shifrat 50-33.
Pra, me plot 17 pikë epërsi, që në fund janë përmbysur nga Tirana, e cila tanimë e shikon veten si kandidate potenciale për të siguruar një vend në fazën tjetër të grupeve, atë çerekfinale, në atë që është pjesëmarrja e saj e parë në një veprimtari rajonale si Liga Ballkanike. E për më tepër me një paraqitje mbresëlënëse, ku, përveçse se ka funksionuar si një grup solid, Tirana ka dëshmuar edhe mendësi fitueseje.
Dy binjakët e pikëve, Hysenagolli dhe Xhonson, që me nga 22 të realizuara secili ishin pikëshënuesit më të mirë të ndeshjes, janë mbështetur nga Rame me 16 dhe Shima me 12, por edhe nga shpirti i paepur që, përkundër asaj që vërejmë shpesh me ekipet shqiptare në disavantazh, ka luftuar deri në sekondat e fundit, duke besuar në vetvete, duke besuar tek fitorja.
Vërtet ka vulosur 11 sekonda nga fundit një 3-pikësh i Ramesë “nga byrektorja përballë”, siç do ta cilësonte anëtari i Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Ilir Taflaj, vërtet gjërat mund të kishin shkuar ndryshe nëse ajo gjuajtje për 3 pikë e Ahmetbashiçit 1 sekondë e pak para fundit do të ishte realizuar, vërtet pra kemi qenë me fat, por, a nuk i ndihmon fati guximtarët?
Basketbolli shqiptar është ende shumë prapa futbollit shqiptar, por hapat që po hidhen përpara, ndonëse të vegjël, janë të sigurt dhe premtues. Tirana po bën lokomotivën e vetmuar, por është e sigurt se shinave të saj do t’u bashkohen edhe të tjerët, pse jo edhe ekipet kombëtare, për ta parë edhe Shqipërinë e koshit të marrë pjesë në veprimtaritë madhore ndërkombëtare.
Utopi? Kështu thonin deri para pak vitesh edhe për Shqipërinë e futbollit…