AlbanianSport.com 22/02/2019 22:05
ASNN – Tirana korri një fitore të madhe të premten në Korçë, përballë Skënderbeut, duke triumfuar 2-1 ndaj Skënderbeut në ndeshjen hapëse të javës së 23-të të Kategorisë Superiore. Ishte një ndeshje me emocion dhe emocionin ia dha prania e një numri të konsiderueshëm tifozësh të Tiranës që e ndezën në maksimum atmosferën. Për trajnerin Ardian Mema ishte një ndeshje e veçantë, pasi më parë ai ka drejtuar bashkë me Ilir Dajën skuadrën korçare.
Dhe Tirana e nisi mjaft mirë takimin, duke qenë racionale në veprime dhe duke ushtruar presion. Ajo që e karakterizon Tiranën e këtyre javëve është besimi i krijuar në vetvete, domethënë Tirana ka aftësinë psikologjike të grupit që pretendon të mundë çdo skuadër që i del përpara. Ishte kjo strategji dhe ky vetëbesim që dhanë efekt edhe në Korçë. Në minutën e 26-të Ishte Kobinah që i hapi rrugën fitores së bardhebluve me golin e tij, një gol që vuri në sedër ekipin e trajnerit Orges Shehi.
E cila nisi të sulmojë me furi në kërkim të golit të barazimit. Dhe ia doli, pa u mbyllur pjesa e parë. Sibo realizoi golin e barazimit në minutën e 45-të, duke balancuar rezultatin dhe duke u dhënë shpresë korçarëve të besonin për një fitore në këtë takim. Në pjesën e dytë skuadrat vijuan të ruanin “llogoret” e tyre, duke u përpjekur nëpërmjet kundërsulmit të gjenin golin i cili do të mbyllte ndeshjen. E kërkuan golin në mënyra të ndryshme, por dukshëm Tirana e kërkoi fitoren deri në fund.
Dhe pikërisht në fund ia doli të shënojë me Majkëll Ngonë, duke marrë 3 pikë që e largojnë përfundimisht nga zona e ftohtë e renditjes dhe e afrojnë me grupin e skuadrave të mestabelës, përfshi dhe vetë Skënderbeun. Korçarët mbeten në kuotën e 33 pikëve, në vend të 5-të, kurse Tirana shkon në 28 pikë, por në vend të 7-të. Emocionet e kësaj fitoreje të madhe i përjetoi më shumë trajner Ardian Mema, i cili u pa duke qarë (nga gëzimi sigurisht) pas golit të fitores.
Një rast prekës, teksa për ta inkurajuar shkoi dhe e përqafoi pikërisht autori i golit Majkëll Ngo.
Kategoria Superiore
Java e 23-të
Të premten, 22 shkurt 2019:
Skënderbeu – Tirana 1-2
Të shtunën, 23 shkurt 2019:
Luftëtari – Teuta (14:00)
Partizani – Flamurtari (17:00)
Të dielën, 24 shkurt 2019:
Kastrioti – Laçi (14:00)
Kukësi-Kamza (14:00)
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Partizani 46
- Teuta 39
- Kukësi 38
- Laçi 34
- Skënderbeu 33
- Flamurtari 33
- Tirana 28
- Luftëtari 22
- Kastrioti 19
- Kamza 16