AlbanianSport.com 06.08.2015 18:45
ASNN – 24-herë “kampionia” e Shqipërisë, Tirana, duket se ka probleme me sulmin, dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, edhe Mario Morina dhe Dorian Kërçiku kanë vendosur të largohen nga bardheblutë.
Dje, dy lojtarët nuk janë paraqitur në stërvitje, duke dhënë sinjale të forta largimi. Për futbollistin 22-vjeçar, edhe pse gjeti akordin me drejtuesit bardheblu, firma nuk erdhi kurrë.
Dhe për pasojë, ai dje mungoi edhe në seancën e parë stërvitore që u zhvillua në kryeqytet. Sakaq, largimi i paralajmëruar i Kërçikut ka marrë jetë mbrëmë. Mesfushori mësohet se është takuar me drejtuesit dhe ka mbyllur gjithçka.
Edhe pse ka kontratë me klubin bardheblu, futbollisti do të marrë lejen e kalimit dhe gjasat janë që destinacioni i tij të jetë mes Vlorës, Durrësit ose Laçit. Mbetet për t’u parë në ditët në vijim se ku do të luajë Kërçiku sezonin e ardhshëm.