AlbanianSport.com 27.01.2017 19:50
ASNN – FIFA ka bllokuar merkaton e janarit për Tiranën. Klubi nuk ka mundësi të regjistrojë asnjë futbollist të ri për këtë periudhë transferimesh për shkak të borxheve të prapambetura. Kështu, as Elis Bakaj nuk mund të jetë futbollist i bardhebluve. Klubi kishte njoftuar se sulmuesi do të prezantohej të premten si futbollist i Tiranës.
Por akordi është anuluar për shkak të pamundësisë për regjistrimin e tij si lojtar i Tiranës. Dënimi i dhënë nga FIFA vlen vetëm për merkaton e janarit. Nëpërmjet profilit të saj në rrjetin social “Facebook”, Tirana ka sqaruar edhe arsyet, në dy postime të njëpasnjëshme.
Sipas saj, KF Tirana ka likuiduar 600 mijë euro borxhe nga e kaluara dhe vijon të mbyllë një pjesë të mbetur nga detyrimet e trashëguara. Pezullimi për merkaton e janarit është vendosur për një borxh të likuiduar tashmë, por FIFA nuk ka toleruar vonesën disaditore në shlyerjen e tij.
Edhe pas apelimit të bërë nga klubi, ky vendim ka ngelur në fuqi. Sipas shpjegimeve të dhënë nga klubi, bardheblutë do të marrin masa për likuidimin e të gjithë borxheve nga e shkuara, për të kapërcyer të gjitha problemet dhe nisur një cikël të ri pa detyrime për sezonin e ri.