AlbanianSport.com 10.06.2015 20:55
ASNN – Elis Bakaj ka zyrtarizuar largimin e tij nga Tirana. Pas një sezoni me ekipin bardheblu, sulmuesi do të vazhdojë karrierën në kampionatin izraelit. 27-vjeçari tha se peng i mbetet fakti që nuk fitoi titullin, por la të hapur mundësinë për ta bërë këtë në të ardhmen.
Elis Bakaj preferoi t’i japë fund aventurës së tij me Tiranën në Stadiumin “Selman Stërmasi”, ku më 16 gusht të vitit të shkuar veshi për herë të parë ngjyrat e skuadrës bardheblu. Pas një sezoni me formacionin e kryeqytetit, sulmuesi 27-vjeçar do të largohet sërish nga Kategoria.
Bakaj le Tiranën me kokën pas. Titulli “kampion” i munguar mbetet peng i aventurës së tij me bardheblutë e kryeqytetit. Sidoqoftë, sulmuesi le të hapur mundësinë që në të ardhmen të kthehet sërish te skuadra e Tiranës. Bakaj do të vazhdojë karrierën e tij në kampionatin izraelit me ekipin e Hapoelit të Rananas.
Futbollisti e sheh këtë një mundësi për të kaluar më pas në një kampionat më të rëndësishëm të futbollit evropian. Elis Bakaj largohet nga Tirana pas 32 ndeshjesh me skuadrën bardheblu dhe 15 golave të shënuar mes Kategorisë Superiore dhe Kupës së Shqipërisë.