Adriatik Balla 11.06.2015 19:50
Mesfushori Elis Bakaj zyrtarizoi divorcin me Tiranën në një konferencë për shtyp të improvizuar në tapetin e gjelbër të Stadiumit “Selman Stërmasi”, aty ku më 16 gusht të vitit të kaluar debutoi me bardheblutë në një miqësore me Dinamon. 27-vjeçari e quan fat dhe një arritje në karrierë faktin që ka veshur fanellën e 24-herë “kampionëve” të Shqipërisë, pavarësisht se mbylli sezonin pa trofe. Nëse ka një peng në aventurën bardheblu, kjo lidhet me mungesën e trofeve.
“Mendoj se kam zhvilluar një sezon të mirë dhe kam dhënë maksimumin por në futboll jo gjithmonë fiton më i miri, – ka theksuar Bakaj. – Nëse kam një peng është fakti që nuk munda të fitoj trofe me Tiranën.” Ai e ka të vështirë të thotë lamtumirë, sepse beson se në të ardhmen do ta veshë sërish fanellën bardheblu për të fituar trofe. “Kjo nuk është një lamtumirë por një mirupafshim, sepse një ditë shpresoj se do të rikthehem te Tirana dhe do të fitoj trofe”, – shtoi mesfushori me tipare sulmuese.
Transferimin në Izrael, tek Hapoeli i Rananas, Bakaj e sheh si trampolinë për të kaluar në një ekip më të fortë, por edhe për t’u afruar më shumë në Kombëtaren kuqezi. “Skuadra me të cilën kam firmosur është një ekip mesatar, që ndjek një politikë të tillë duke i shitur lojtarët më të mirë, – ka pohuar ai. – Unë e shoh si trampolinë për t’u transferuar te një skuadër më e madhe dhe sigurisht edhe për t’u afruar më shumë me Kombëtaren.”
“E kam veshur fanellën kuqezi që kur isha 20 vjeç dhe kur nuk kam bërë dhe as kam për të bërë polemika nëse grumbullohem. I uroj më të mirën përfaqësueses”, – përfundoi Bakaj.