AlbanianSport.com 17/02/2019 15:00
ASNN – Shoqata e Basketbollit të Femrave “Tirana”, e trajneres Mirza Alibegaj, regjistroi të shtunën një fitore të madhe, ndaj një rivali direkt për titull si Flamurtari, duke u ngjitur në vend të dytë, vetëm 1 pikë më pak se kryesuesit që janë vajzat rivale të Tiranës së trajnerit Erdal Borova. Ishte një ndeshje me rivalitet të fortë dhe njëherësh me ecuri të befta, pasi fitorja luhatej sa në një krah në tjetrin. 10-minutëshi i parë përfundoi me shifrat 24-16 në favor të SH.B.F. Tiranës, e cila operoi me sukses në lojën depërtuese, saktësinë poshtë tabelës por edhe në shpejtësinë e veprimeve taktike.
Skuadra vlonjate u përpoq të tregonte autoritetin e saj teknik, por e pati të vështirë në pjesën e parë, megjithëse e fitoi 10-minutëshin e dytë bindshëm me shifrat 19-13. Pra në fundin e pjesës së parë të ndeshjes, para se lojtaret të shkonin në dhomat e pushimit, Tirana e Alibegajt udhëhiqte me rezultatin 37-35. Në 10-minutëshin e 3-të Flamurtari futet në fushë mjaft i motivuar dhe falë këmbënguljes ia del të fitojë me shifrat 14-11, në një duel që ishte mjaft i ashpër dhe dominonte loja e fortë fizike dhe mbulimi i rreptë në mbrojtje.
Me pak fjalë, në fund të 10-minutëshit të tretë Flamurtari udhëhiqte 49-48, shifra që tregojnë rivalitetin e ashpër për çdo top dhe deri në detajet më të imëta. Vendimtare për vajzat bardheblu ishte 10-minutëshi i katërt dhe i fundit, të cilin e fituan me shifrat 20-14, duke bërë që ta fitonin ndeshjen me rezultatin 68-63. Një fitore me mjaft peshë jo vetëm për renditjen, por njëherësh edhe në planin moral e psikologjik, pasi dihet rivaliteti midis dy skuadrave dhe njëherësh përplasja e trajnerit Toska me rivalen e tij të SHBF Tiranës, Mirza Alibegaj.
Ndërkohë, ndeshja tjetër e ditës së shtunë, ajo midis Elbasanit dhe Vllaznisë nuk pati asnjë histori, sepse shkodranet fituan me rezultatin 82-60 dhe forcojnë pozitat e tyre në vend të 4-t, pozicion që siguron “play-off”-in. nga dy 10-minutësha fituan secila skuadër, por pjesët që fitoi Vllaznia ishin me diferenca të mëdha. Kështu, 10-minutëshi i parë përfundoi me shifrat 12-15 në favor të Vllaznisë, kurse i dyti ishte dukshëm përcaktues, pasi vajzat nga Shkodra fituan me shifrat 31-11, duke future fitoren në “xhep”. Në 10-minutëshin e 3-të Elbasani ngre potencialin e tij sepse vajzat nga Shkodra e ulën ritmin.
Këtë pjesë e fitojnë vajzat e Elbasanit me shifrat 21-16. Kurse 10-minutëshi i 4-t dhe i fundit përfundoi me shifrat 20-16 në favor të Vllaznisë. Kjo humbje, e 12-ta rresht për Elbasanin, konfirmon që skuadra po pret e qetë fundin e garës për të rënë nga kategoria, pasi nuk ka asnjë potencial për të rivalizuar me skuadrat elitare të Kategorisë së Parë në basketbollin e femrave. Java e 12-të e Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit të Femrave, nisi të premten dhe Tirana e trajnerit Erdal Borova regjistroi një fitore të rëndësishme në rrugëtimin e saj drejt titullit.
Ajo mundi Studentin me rezultatin e thellë 82-62. Kjo fitore e shkëput dhe më shumë SH.K.B.F. Tiranën në kuotën e 22 pikëve, 1 më shumë se ndjekësit që janë Tirana e trajneres Mirza Alibegaj dhe Flamurtari i trajnerit Viron Toska, që ka nga 20 pikë. Në duelin e së premtes, që u luajt në kryeqytet nuk pati ndonjë gjë për t’u shënuar, pasi epërsia e Tiranës ishte e madhe nga fillimi e deri në fund. Kështu, 10-minutëshi i parë përfundoi me shifrat 12-20 për vajzat bardheblu, ndërsa akoma më i thellë ishte 10-minutëshi i dytë që u mbyll me shifrat 7-21 po në favor të ekipit të Borovës.
Kur ishte luajtur vetëm gjysma e ndeshjes, Tirana udhëhiqte me rezultatin 41-19. Edhe në 10-minutëshin e tretë ishte SH.K.B.F Tirana që fitoi 23-15, duke mos i lënë asnjë shans ekipit të Studentit. Sidoqoftë, në 10-minutëshin e katërt dhe të fundit, kur Tirana angazhoi në fushë vajzat e reja, fitoi Studenti 28-18. Krejt ndeshjen e fiton Tirana me rezultatin 82-62. Një fitore me vlera për skuadrën e trajnerit Erdal Borova, që vijon ta ruajë kreun e renditjes edhe pas kësaj jave, pavarësisht rezultatit që fiksuan dy duelet e tjera që luhen u luajtën të shtunën në kuadër të 12-të.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Kategoria e Parë
Java e 12-të
Të premten, 15 shkurt 2019:
Studenti – SH.K.B.F. Tirana 62-82
Të shtunën, 16 shkurt 2019:
Elbasani – Vllaznia 60-82
(12-15, 11-31, 21-16, 16-20)
SH.B.F. Tirana – Flamurtari 68-63
(24-16, 13-19, 11-14, 20-14)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- SH.K.B.F. Tirana 12 10 2 22
- SH.B.F. Tirana 12 9 3 21
- Flamurtari 12 8 4 20
- Vllaznia 12 7 5 19
- Studenti 12 2 10 14
- Elbasani 12 0 12 12