AlbanianSport.com 12.02.2016 12:05
ASNN – Gjatë një konference për shtyp të mbajtur në prag të sfidës Tirana-Bylis, trajneri i bardhebluve, Ilir Daja ka kërkuar fitoren për vazhdimësinë e rezultateve pozitive, sidomos para publikut të vet. Java e 21-të e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit do të luhet e gjitha të shtunën dhe Tirana pret Bylisin në Stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit, në atë që është ndeshja e parë për bardheblutë aty për këtë vit.
Trajneri Ilir Daja ka kërkuar fitoren në këtë sfidë, pas katër rezultateve pozitive në ndeshjet në fushë kundërshtare. Sipas tij, Tirana kërkon vazhdimësinë në ndeshjen kundër Bylis, ndërsa objektiv mbeten Kupat e Evropës. Në fakt, Midis Kupës dhe Kategorisë Superiore janë 3 fitore radhazi, një ecuri që Tiranës i kishte munguar, duke ndikuar negativisht edhe në tabelën e renditjes. Por tani, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja duket se ka gjetur ritmin e duhur.
Dhe prandaj kërkon vazhdimësinë në sfidën e radhës në kampionatin shqiptar. Bardheblutë e kryeqytetit do të presin në “Selman Stërmasi” Bylis, një motiv më shumë për të arritur fitoren e parë në stadiumin e tyre. Fitoret e fundit në Kategorinë Superiore kanë forcuar pozitat e Tiranës si forca e tretë e këtij sezoni. Kryesuesit janë larg dhe nëse gara për titull duket se do të zgjidhet mes Skënderbeut dhe Partizanit, objektivi i të besuarve të Ilir Dajës mbetet pjesëmarrja në Kupat e Evropës.
Situata në tabelën e renditjes e bën Tiranën të favorizuar në letër. Por kundër Bylis, Ilir Daja duhet t’i bëjë llogaritë me shumë mungesa të rëndësishme. Kërçikut e Vucaj i shtohen dëmtimi i Gentian Muçës. Po ashtu, në fushë nuk do të jenë edhe Elis Bakaj e Dejan Karan, të pezulluar për shkak të kartonëve. Takimi midis Tiranës dhe Bylisit do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 13:00.