AlbanianSport.com 01.08.2016 20:45
ASNN – Ndryshe nga sezonet e kaluar, këtë herë Tirana i nisi më shpejt përgatitjet për sezonin e ri dhe aq më tepër që pa u mbyllur ende muaji korrik, skuadra përfundoi fazën përgatitore.
Në Zlatibor të Serbisë nën drejtimin e Ilir Dajës kryeqytetasit zhvilluan për rreth dy javë fazën përgatitore, duke marrë ngarkesat e duhura fizike për të përballuar me sukses edicionin e ri.
Gjatë ditëve të qëndrimit në Serbi, përveç seancave stërvitore me ngarkesa të plota, ekipi zhvilloi dhe katër ndeshje miqësore. Në përgjithësi stafi teknik me në krye trajnerit Ilir Daja ka mbetur i kënaqur nga kjo fazë.
Kjo, pasi ekipi është kolauduar dhe lojtarët që janë pjesë për sezonin e ri janë në formë, pavarësisht se deri në nisjen e kampionatit ka ende kohë dhe do të ketë sërish përforcime.
Edhe rezultatet kanë qenë të kënaqshme, por më tepër loja e zhvilluar nga bardheblutë, që i jep garanci trajnerit kryeqytetas, Ilir Daja, për të krijuar një ekip konkurrues për edicionin e ri.