AlbanianSport.com 01.04.2016 13:45
ASNN – Tirana paguan 200 000 euro borxhe ndaj lojtarëve, shmang heqjen e pikëve nga FIFA. Kështu, të paktën nuk do të ketë heqje të pikëve. Tirana ka shmangur më të keqen, pasi klubi bardheblu ka paguar borxhe të prapambetura ndaj ish-futbollistëve të saj.
Klubi bëri me dije nëpërmjet një komunikate se ka paguar gati 200 mijë euro, saktësisht 198,000, duke shmangur dënimin e pritshëm nga FIFA. Rreziku ishte i madh, sepse në rast se nuk bëheshin veprimet në kohën e duhur, Tiranës do t’i hiqeshin 3 pikë nga renditja, siç ndodhi me Flamurtarin në prag të fazës së dytë të sezonit.
Ndër lojtarët e paguar ishin Pejiç, Zizoviç, Pigoni, Ristevski, Deliç apo Bushiç. Gjithsesi, shuma prej 198 000 eurosh përmban edhe detyrime që klubi i kishte lojtarëve që për momentin nuk ishin drejtuar në FIFA. Sipas drejtuesve të saj, Tirana e ka ulur ndjeshëm nivelin e borxhit, dhe çështja më shqetësuese mbetet ajo e Ilir Kastratit.
Drejtori Shehri shprehet se po negociohet që të mos paguhen 132 000 euro, aq sa kërkon Panathinaikos, por më pak. Afati i fundit i FIFA-s për Kastratin është 11 prilli 2016.