Adriatik Balla 23.06.2015 12:35
Tirana ka nisur zyrtarisht për përgatitjet për sezonin 2015-2016 kur duhen 2 muaj që të nisë kampionati i ri. Në seancën e parë të drejtuar nga Shkëlqim Muça kanë qenë vetëm 10 futbollistë. Trajneri i ri ka kryer një përgatitje të karakterit atletik nga Kodrat e Liqenit. Ekipi pritet të plotësohet në ditët në vijim me konfirmime të lojtarëve aktualë dhe përforcime.
Në seancën e parë kanë munguar Erando Karabeci për shkak të terapisë që po zhvillon në Athinë dhe Frensis Kahata, që do të kthehet nga Kenia. Stivi Frashëri nuk ka qenë i pranishëm për arsye personale dhe Gentjan Muça, i cili është huazuar te Kukësi për pjesëmarrjen në Ligën e Evropës. Klubi bardheblu ka njoftuar zyrtarisht se largimet janë Elis Bakaj, Selemani Ndikumana dhe Reinaldo Kalari.
Erjon Hoxhallari është rikthyer pas huazimit të Teuta. Pritet që javën e ardhshme trajneri Shkëlqim Muça të ketë një ekip më të plotë. Sezonin e kaluar Tirana ka dështuar në të gjithë objektivat e vendosur duke munguar edhe në Kupat e Evropës. Futbollistët në seancën e parë ishin Ervin Bulku, Jetmir Sefa, Edvan Bakaj, Dorian Kërçiku, Argjend Malaj, David Domgjoni, Marsel Çaka, Erjon Hoxhallari, Grent Halili dhe Marlind Nuriu.