AlbanianSport.com 21.01.2017 17:05
ASNN – Kampionati është shtyrë për një javë, por skuadrat nuk kanë pranuar të bëjnë “sehir”, duke i ngrohur që tani “motorët” për gjysmën e dytë të sezonit. Kështu, Tirana ka fituar mes problemeve të shumta të mungesave, duke mposhtur 1-0 Luftëtarin në miqësoren e zhvilluar në Stadiumin “Selman Stërmasi”. Kjo ndeshje është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Pa asnjë përforcim në fazën përgatitore dimërore, trajneri Mirel Josa e ka nisur me Likën në portë, duke aktivizuar të rinj premtues si Domgjoni e Deliaj në mbrojtje përkrah Hoxhallarit e Teqjas, ndërsa në sulm e nisnin nga minuta e parë si Halili dhe Edehu. Te Luftëtari, që kishte fituar në Turqi ndaj Botosanit dhe Ordabasit, e niste si titullar afrimi i kësaj merkatoje Eri Lamcja, bashkë me Rezhinaldon në sulm.
Ishte një pjesë e parë disi e vakët për Tiranën që rrezikoi në minutën e 23-të, por portieri i pjesës së parë mes shtyllave të gjirokastritëve, Miraka, u tregua në lartësinë e duhur. Sidoqoftë, rasti më i mirë i pjesës së parë i përket Luftëtarit, që, në minutën e 43-të, pa Rezhinaldon përballë Ilion Likës, por ky i fundut u shpëtua vetëm shtylla në goditjen e sulmuesit nga Mozambiku.
Më ritmike pjesa e dytë me që neutralizon goditjen e Hoxhallarit në të 50-ën, nuk ja del të finalizojë mbrojtësi që kishte avancuar deri në zonën gjirokastrite, ndërsa në minutën e 67-të, Dejvi Bregu ka një rast të shkëlqyer brenda zonës, por Edvan Bakaj i futur në pjesën e dytë tregohet në lartësinë e duhur. Goli që vendos ndeshjen vjen në minutën e 75-të dhe gjithçka lind nga këmbët e Asion Dajës.
Ai rrëmben një top në mesin e fushës, sposton në të djathtë për të riun e akademisë Nuri, që kërkon Sisenë në qendër, duke detyruar Bojomin ta çojë topin në rrjetën e tij. 1-0 për Tiranën që rrit ritmin duke i bërë të sajat minutat e fundit, por nuk arrin të gjejë tjetër gol, edhe pse pati rast me Sisenë në minutën e 81 dhe, vetëm një minutë më pas, edhe me Romualdin, që godet fluturimthi, por gjen të gatshëm Rucin.