AlbanianSport.com 23.01.2017 16:15
ASNN – Tirana ka pësuar “humbjen” e parë në këtë gjysmë të dytë të sezonit, por nuk bëhet fjalë për një ndeshje të luajtur në fushën e blertë, por jashtë saj. Në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) u vendos që mesfushori Gjergji Muzaka të cilësohet si një futbollist i lirë dhe pa detyrime kontraktuale ndaj bardhebluve, ndërsa, në anën tjetër, klubi kryeqytetas do t’i paguajë plot 10.6 milionë lekë, nga mosrespektimi i marrëveshjes së firmosur.
Kështu, mosmarrëveshjet për çështjen e pagesave mes futbollistit dhe skuadrës së Tiranës e çuan pashmangshmërisht situatën në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve të organizmit që qeveris futbollin në vend. Çeku i majmë, por edhe situata e nderë mes Muzakës dhe presidentit të Tiranës solli edhe tensionin e aksionerit më të madh të klubit kryeqytetas.
Gjergji Muzaka kështu ka fituar pjesërisht të drejtën për sa u përket pretendimeve për dëmshpërblim financiar, edhe pse jo pagesën e plotë që ai kërkonte. Përfundon kështu me gjyq, aventura e dytë e mesfushorit me fanellën bardheblu, ndërsa kujtojmë këtu se Muzaka, së bashku me Erjon Vucaj dhe Ansi Nikën, janë largimet e janarit nga 24 herë kampionët e vendit.